Elon Musk fton Vladimir Putin për një bisedë në Clubhouse, rrjetin social që po fikson miliona njerëz

2 44 1100x620

Elon Musk dëshiron të zhvillojë një bisedë me Vladimir Putin në aplikacionin e tij të ri të preferuar, Clubhouse, i cili bazohet vetëm në biseda audio.

Të shtunën, CEO i Tesla etiketoi llogarinë zyrtare të Kremlinit për të pyetur nëse presidenti rus dëshiron të bashkohet me të në një bisedë në aplikacionin më të famshëm të momentit.

“Dëshiron të bashkohesh me mua për një bisedë në Clubhouse?”, shkroi Musk. Ai më pas shkroi në rusisht: “Do të ishte një nder i madh të flisja me ju”.

Kremlini e quajti ftesën e Musk “interesante”, por shtoi se duhej të dinte më shumë detaje.

“Ky është sigurisht një propozim shumë interesant, por ne duhet të kuptojmë se çfarë nënkuptohet, çfarë propozohet saktësisht, dhe pastaj do të reagojmë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.

Kujtojmë se Clubhouse është një aplikacion i ri që ka fiksuar miliona njerëz nga Amerika në Kinë.

Ai u lançua në mars të vitit 2020 në SHBA dhe në maj kishte vetëm 1500 përdorues, por u bë tejet i famshëm pasi Elon Musk zhvilloi aty një bisedë me drejtorin ekzekutiv të Robinhood, Vlad Tenev

Rrjeti social u ngrit në krye të listave të aplikacioneve më të shkarkuar dhe që prej 1 shkurtit numëron më shumë se 2 milionë përdorues dhe vlen më shumë se 1 miliard dollar.