Kosova zgjodhi, KQZ, Elezi: Nuk do ketë vonesa në certifikimin e zgjedhjeve

15 SHKURT 4 ABSOLUT KOSOVA ZGJODHI P1 frame 9283 1100x620

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, ishte i ftuar në “Absolut 4”, ku foli se në çfarë faze ndodhet procesi për certifikimin e rezultateve pas zgjedhjeve të së dielës, ku Lëvizja Vetëvendosje mori një fitore të madhe ndaj dy partive të mëdha LDK dhe PDK.

Elezi tha se aktualisht janë duke u grumbulluar materialet zgjedhore dhe më pas do të nisë numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë. Sipas tij, certifikimi i zgjedhjeve nuk do të ketë vonesa, duke kujtuar edhe njëherë shembullin e mirë që Kosova dha në këtë proces.

“Kosova dha një shembull të mirë për organizimin e zgjedhjeve. Kishim vetëm 39 ditë në dispozicion për të përmbushur detyrat tona për të organizuar zgjedhjet. Këto ishin zgjedhjet më të mira nga ato që ishin mbajtur më herët. Aktualisht, po bëjmë grumbullimin e materialit zgjedhor dhe shohim nëse ka pasur ndonjë parregullsi. Shumë shpejt nis numërimi i votave me postë dhe atyre me kusht, pasi të përfundojmë disa procedura.

Numërimi i këtyre votave nuk shkon shumë dhe ato i shtohen rezultatit të përgjithshëm. KQZ është këtu për të siguruar që vullneti i qytetarëve të transmetohet drejt, por do na duhen edhe disa ditë. Besoj se së shpejti do të kemi një njoftim në lidhje me materialet zgjedhore. Nuk do të ketë vonesa në shpalljen e rezultateve dhe certifikimeve”, tha Elezi.