Milo lexon në “Absolut 4” mesazhin e Rexhep Qoses: Qëndrimi i vërtetë i humbësve do të shihet pas krijimit të qeverisë

Mesazhet e pranimit të humbjes të zgjedhjeve nga partitë e tjera ishte një temë tjetër e diskutimit në “Absolut 4” në A2.

Historiani Paskal Milo lexoi në studio një mesazh të akademikut shqiptar Rexhep Qosja, i cili i shihte ato thjesht një mesazh për t’u dëgjuar nga faktori ndërkombëtar dhe ambasadat e huaja në Prishtinë.

Sipas Rexhep Qoses, qëndrimi i vërtetë i humbësve do të shihet pas krijimit të qeverisë së re, ku uronte që të mos ndodhte e njëjta gjë si me qeverinë e parë të Albin Kurtit e cila u rrëzua brenda 52 ditëve

Mesazhi i Rexhep Qoses

“Urimet që humbësit në zgjedhjet e djeshme iu dhuruan fituesit ishin një mirësjellje shumë e dëshiruar dhe e bukur, por ato u bënë ashtu të njëzëshme, në radhë të parë, për t’u dëgjuar prej ambasadave në Prishtinë dhe prej faktorëve ndërkombëtarë. Qëndrimi i vërtetë i uruesit ndaj fituesit do të fillojë të shprehet pas krijimit të qeverisë së re dhe fillimit të ndryshimeve që do të përpiqet të sjellë ajo. Si herën e parë kur e rrëzuan qeverinë e Vetëvendosjes, nuk përjashtohet mundësia që do të fillojnë t’i fusin pyka edhe tani qeverisë së re. Të urojmë të mos të ndodhë kjo. Por shumëfytyrësia është veçori themelore e politikës sonë në Shqipëri dhe Kosovë”.