Rama: Pranë sigurimit të një sasie vaksinash nga Astrazeneca. Ironizon opozitën

9 SHKURT ERDI RAMA frame 31370 1100x620

Kryeministri Rama ka njoftuar se Shqipëria është pranë sigurimit të një sasie të konsiderueshme të vaksinës Astrazeneca. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë tha se sot mbërrijnë 7020 doza të vaksinës Pfizer.

“Sot, nis me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës anti-covid nga kontrata me Pfizer dhe intensifikimi i planit të vaksinimit, ndërkohë që jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina Astrazeneca”.

Rama përsëriti deklaratën e ministres Manastirliu sa i përket aktivizimit të spitaleve rajonale për përballimin e trajtimit të koronavirusit, ndërsa apeloi për respektimin e masave kufizuese deri në afatin e përcaktuar.

“Aktivizohet sot skenari i parë i përfshirjes së spitaleve rajonale për përballimin e nevojës për shtrime në spital, ndërkohë që respektimi i masave kufizuese në fuqi mbetet domosdoshmëri deri në afatin e përcaktuar nga Komiteti Teknik”.

Sipas Ramës, mbi 90 mijë teste të shpejta janë kryer në 54 pikat e testimit në komunitet përveç testit PCR, ndërkohë që vijon intensifikimi i përpjekjeve në terren për të këputur hallka të zinxhirit të infektimeve.

Kryeministri ironizon opozitën, e cila sulmon qeverinë sa i përket menaxhimit të pandemisë dhe sigurimit të vaksinave.

“Zotimet e atyre që thonë se vaksinat do i sigurojnë në mbledhjet e partive simotra apo që drejtojnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë, ndërkohë që Shqipëria është një nga dy vendet e vetme në rajon që ka siguruar nisjen e vaksinimit, janë një arsye për ta neveritur politikën e futjakotësisë!”