Rezultat zhgënjyes në zgjedhje, dorëhiqet Isa Mustafa

Rezultat zhgënjyes në zgjedhje dorëhiqet Isa Mustafa 1100x620

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë dorëheqjen nga posti, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, ku partia e tij pësoi një disfatë.

Gjatë paradites, strukturat e LDK-së u mblodhën për të diskutuar rezultatin e zgjedhjeve, në të cilat partia e tyre u rendit e treta, me rreth 13% të votave.

“Vlerësoj që rezultati është shumë i keq për LDK, një rezultat që nuk e kemi pritur fare, edhe nga takimet që kemi pasur në terren, edhe nga puna që ka bërë kandidati ynë për kryeministër, Hoti. Por vota e qytetarëve është ajo e cila respektohet dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe hapjes së rrugëve të mëtejshme për riorganizim të LDK, unë sot kam njoftuar kryesinë për të thërritur kuvendin e LDK për zgjedhjen e kryetarit të ri, në mënyrë që LDK të ketë së shpejti kryetarin e ri”, tha Mustafa pas mbledhjes së kryesisë.

Më herët, anëtarë të kryesisë së LDK-së thanë se ky ishte momenti për të kërkuar përgjegjësit e kësaj humbjeje, duke kritikuar drejtpërdrejt Mustafën dhe liderët e tjerë.