A po bëhet drejtësi me regji?, Hyseni: Ka nga ata që e mbështesin reformën ditën dhe janë kundër natën

Deputeti socialist Alket Hyseni komentoi në “Absolut 4” dhe deklaratën e presidentit Ilir Meta për çështjen e arrestimeve në gjykatën e Krujës dhe mjekut Prifti që të mos bëhet drejtësi me regji.

Sipas anëtarit të Komisionit të Ligjeve reforma në drejtësi është shumë komplekse, por po funksionon. Ai shtoi se shumë faktorë kanë qenë kundër saj dhe janë përpjekur ta pengojnë atë dhe nënvizoi se tashmë prokurorët dhe gjyqtarët janë të pavarur.

“Janë shumë faktorë skeptikë për reformën në drejtësi ka pasur dhe nga ata që kanë qenë kundër. Kishte dhe nga ata që ishin pro ditën dhe kundër natën. Kjo ishte reforma më komplekse në 30 vjet demokraci. Nuk është thjesht vettingu reforma, por një tërësi ligje, një strukturim i plotë. Për t’i dhënë gjyqtarit dhe prokurorit pavarësi të plotë nga politika dhe shpërblim të plotë. Sot gjyqtarët dhe prokurorët paguhen më shumë se Presidenti i Republikës. Ky është një vlerësim me vullnet të plotë dhe që t’i distancojmë ata nga shantazhet.

Unë bashkohem me qëndrimin e ambasadores për faktin që i ftojmë shqiptarët të durojnë. Nuk është asgjë me magji. Krimi është i sofistikuar, elementët kriminelë po ashtu. Mekanizmi po funksionon. Pritshmëritë e opinionit janë më të larta. Nuk ka asnjë dirigjim. Nuk ka mazhoranca asnjë akses në drejtësi, përveç politikave qeveritare dhe ligjvënëse për të orientuar luftën kundër krimit, pjesa tjetër është pavarësi e plotë e prokurorëve dhe gjyqtarëve në veprimet e tyre dhe në vendimmarrje. Nuk mund të rrimë duarkryq për fenomene që shqetësojnë opinionin”, u shpreh Hyseni.