Arrestimi i gjyqtares së Krujës, Besnik Muçi: Çështja u mediatizua, për gjyqtaren kishte hetim disiplinor

Në emisionin “Absolut 4” në A2 u diskutua mbrëmjen e së martë për çështjen e arrestimit të gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha dhe mjekut Ervin Prifti, në kuadër të një hetimi të SPAK.

Ish-gjyqtari dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi deklaroi se kjo çështje mori disa ngarkesa mediatike. Ai u tregua skeptik dhe ndaj institucioneve të reja të drejtësisë të cilat sipas tij kishin hapur një procedim disiplinor ndaj gjyqtares në fjalë dhe për 6 muaj nuk e mbyllën atë.

“Të gjithë zhvillimin e këtyre ditëve e kam parë në një plan më të gjerë se si po funksionojnë institucionet. A po funksionojnë? Më lehtë është ta arrestosh një gjyqtar sesa ta procedosh disiplinarisht. I gjithë opinioni është informuar sikur janë liruar disa emra të krimit. Të mos i japim ngarkesa mediatike rastit.

Një gjyqtare për të cilën ka filluar mbi 6 muaj procesi disiplinor dhe që nuk ka përfunduar ende. Përse duhet ta lejojnë të shkojë deri këtu. Organi disiplinor duhet të kishte reaguar menjëherë. Institucionet e reja që krijuam ne tregoi që nuk kishte efikasitet. Marrja e masës disiplinore mund të shmangte dhe veprimet e tjera”, tha Muçi.