“Deri në fund të pranverës, 2500 banesa individuale”, Spiropali: Objektivi i PS, shkollimi i të rinjve dhe projektet publike

16 SHKURT DITA JONE PGM frame 123499 1100x620

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesja e fushatës së PS-së për Tiranën, ka folur në studion e “Dita jonë” për fushatën elektorale të PS-së, objektivat dhe parashikimet. Sipas saj, objektivi i mazhorancës për mandatin e tretë është shkollimi i të rinjve në profesionet e reja dhe projektet publike, si vizion i tyre për Shqipërinë 2030.

“Objektivi ynë për mandatin e tretë të investojmë te shkollimi i të rinjve, te profesionet e reja që të japin mundësi të fitosh mirë për të jetuar në Shqipëri. Programi është duke u përmbyllur dhe shumë shpejt hidhet për diskutim. Është vizioni ynë për Shqipërinë 2030, do të fokusohemi te punësimi, meritokracia, ka ende vend për të përmirësuar dhe pse shërbimet në administratë janë përmirësuar ndjeshëm. Infrastruktura, projektet publike janë projekte deri në 2030”.

Sa i takon rritjes ekonomike në vend, Spiropali theksoi se parashikimet janë për rritje 5.5%, pavarësisht pandemisë, ekonomia ka reaguar.

“Jemi të vetëdijshëm që 2020 ka qenë vit i vështirë, pandemia ka lënë gjurmë të thellë, bizneset janë dëmtuar, megjithatë po të shohësh shifrat janë humbur 33 mijë vende pune, por janë rikuperuar 23 mijë, ekonomia ka reaguar dhe ndërhyrjet e qeverisë në buxhet dhe mbështetja financiare i kanë dhënë impuls ekonomisë. Parashikimet janë për rritje 5.5%”.

PS kërkon mandatin e tretë për të përfunduara punët e lëna në mes dhe këtë qëndrim e ndau në “Dita jonë” Elisa Sipropali, e cila u shpreh se deri në fund të pranverës do të kenë përfunduar 2500 banesa individuale nga 4500 që janë në total.

“Ka shumë punë për të bërë, janë bërë shumë, por jemi në mes të punëve shumë të rëndësishme tërmeti. Përgjigjja e shtetit ishte e plotë për përballimin e tërmetit dhe morëm përsipër gjithçka, është projekti më i madh social në vend. 4500 banesa individuale dhe mijëra apartamente në lagjet e reja. 13 mijë familje marrin bonusin e qirasë. Deri në fund të pranverës 2500 banesa individuale do jenë të përfunduara. Kanë përfundur 40 shkolla nga 176 shkolla të reja. Shkollat dhe kopshtet janë ndër më të mirat”.

Spiropali ka theksuar se bashkia e Vorës dhe e Kamzës, të drejtuara nga demokratët janë më të keqqeverisura me taksa të pavjelura. 54% e bashkisë Kamëz, sipas saj, nuk është e lidhur me rrjet ujësjellësi.

“Nuk besoj se ka bashki më të keqqeverisura se bashkia Kamëz dhe Vorë aty është shumica  e biznesit me taksa të pavjelura, vetëm për të futur në punë militantë. 54% e bashkisë Kamëz e palidhur në rrjet ujësjellësi, është e papërfytyrueshme, si dhe Bashkia Vorë e pasur potencialisht, të mos ketë kënd lojërash edhe bibliotekë”.

E pyetur për standardin e zgjedhjeve në Kosovë i cili nuk ndodh në vendin tonë, ajo u shpreh se në Shqipëri ka një ngërç sa i takon numërimit, por theksoi se këtë viti do të jenë zgjedhjet më të mira.

“Ka një ngërç në Shqipëri sa i përket numërimit të zgjedhjeve dhe votave që ne donim të adresonim përmes depolitizimit të administrimit zgjedhor që nuk u pranua për shkak të mungesës së besimit mes palëve, do kemi zgjedhjet më të mira se kemi ndryshuar 3 kode 5 ligje. E uroj Kosovën dhe uroj që të bëjë ato që ka premtuar të gjejë dhe konsensus!”.