“Do të mbajmë larg duart nga sistemi i drejtësisë”, Basha: Brenda 6 muajsh konferenca e parë ndërqeveritare

Në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, kreu demokrat Lulzim Basha theksoi se do të bëjë çdo përpjekje për të mbrojtur votën nga përpjekjet kriminale, do të mbajë larg duart nga sistemi i drejtësisë dhe brenda 6 muajsh do të realizojë konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.

“Ne do të bëjmë çdo përpjekje që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të lira. Do të mbrojmë votën nga çdo përpjekje kriminale për deformimin e saj. Do të sjellim një kulturë të re politike në Shqipëri përmes qeverisjes së përgjegjshme”.

Basha garantoi se kur të vijë në pushtet do të mbajë larg duart nga sistemi i drejtësisë dhe do t’i japë fund pandëshkueshmërisë në vend. Sipas tij, PD në pushtet do të prodhojë një sistem drejtësie të pakapur nga politika, oligarkia apo krimi, duke goditur krimin e korrupsionin në nivelet më të larta.

“Partia Demokratike dhe unë angazhohemi të mbajmë duart larg nga sistemi i ri i drejtësisë. Ne do të promovojmë një sistem që garanton drejtësi dhe që ka besimin e qytetarëve. Një sistem i pakapur nga politika, nga oligarkia apo nga krimi. Luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të merren në shqyrtim procedurat korruptive të PPP-ve, të prokurimeve publike, monopoleve. Skemat e pastrimit të parave do të goditen. Sistemi i drjetësisë do të pastrohet një herë e mirë nga të gjithë ata që e njollosin. Ne do prodhojmë një sistem të pakapur nga politika oligarkia apo krimi. Do t’i japim fund pandëshkueshmërisë në vend. Lufta kundër krimit e korrupsionit do të marrë goditje të prerë në çdo nivel dhe në nivelet e larta. Para drejtësisë do të jenë të gjithë individët e lidhur me krimin”.

Duke folur për integrimin e vendit në BE, Basha theksoi se brenda 6 muajve të parë do të bëhet realitet konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri – BE.

“Për ne, për Partinë Demokratike, për mua, Shqipëria europiane fillon me mirëqeverisjen. Zbatimi do të jetë fjala kyçe e reformave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Unë dhe Partia Demokratike vijmë nga një trashëgimi bindëse në zbatimin e reformave. Liberalizimi i vizave ishte rezultat i merituar i reformave transformuese. Në 2 vite e gjysmë u përmbushën 150 kushte. Shqipëria në këto 8 vite ka ngecur në vend. Shqipëria sot kryeson listën e vendeve që kërkojnë strehim në Europë. 25 prilli është një ditë për fitoren e Shqipërisë, shqiptarëve dhe të aspiratës sonë europiane. Brenda 6 muajve të parë ne do të bëjmë realitet konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri – BE. Për Shqipërinë europiane përparësia kryesore, plotësimi i kushteve të BE-së. Injorimi i kushteve çoi në shtimin e tyre. Plotësimi i tyre është detyra e parë”.