Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Humb jetën nga Covid-19 vëllai i Vili Minarollit: Nuk shpëtohen jetët tona me propagandë

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2021, 16:16 | Aktualitet
Humb jetën nga Covid-19 vëllai i Vili Minarollit: Nuk shpëtohen

Thirrja dëshpëruese e dy vajzave të një 79-vjeçari që humbi jetën nga Covid-19 këtë të martë shkaktoi reagime të shumta. Vajzat e Rifat Lalos (Minarollit) thanë se babai i tyre nuk kishte marrë kujdesin e duhur shëndetësor në Spitalin Infektiv, dhe disa herë ai u kishte kërkuar ta nxirrnin prej aty para se të ndërronte jetë.

Viktima ishte edhe vëllai i ish-deputetit të Partisë Demokratike dhe ish-ambasadorit të Shqipërisë në disa shtete, Vili Minarolli. Përmes një reagimi në Facebook, edhe ai ngre akuza ndaj spitalit, duke thënë se vëllai i tij u braktis me orë të tëra te dera e spitalit. “Duhet të mirëkuptoni gjendjen e vajzave kur i ati u kërkonte largimin nga ai ferr i vërtetë dhe thirrjen e tyre për të mos i dërguar njerëzit në spitalet publike”, shkruan Minarolli.

“E them me bindje se ne kemi personel mjekësor të përgatitur, por kjo nuk mjafton për të shpëtuar jetën e njerëzve. Thirrja e dy vajzave që u kish vdekur i ati dhe asnjë nuk e kish prekur me dorë është një thirrje për të gjithë ne... Nesër mund t’i ndodhë kujtdo. Këto që ndodhin sot në vendin tonë, një vit pas shpalljes së pandemisë, nuk mund të krahasohen me ato që ndodhen para një viti, kur bota u gjend e papërgatitur.

Me mashtrime, me gënjeshtra dhe propagandë për shpëlarje truri nuk shpëtohen jetët tona. Kosova na e dha shembullin, që u ndihmuan duke u hequr bosët e krimit, të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë që u kishin zënë grykën dhe nuk merrnin dot frymë".

Në lidhje me ngjarjen, drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare tha në një njoftim për mediat se viktima ka marrë të gjithë shërbimin e nevojshëm

“Pacienti me inicialet R.L ,79 vjeç, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L). Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid 1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve.

I është bërë skaneri ne orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe të mjekëve reanimatore)”, thuhet në deklaratë.

Spitali thotë edhe që mjekja e rojës është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, “të cilët kanë pasur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambientet e jashtme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në një shtet tjetër europian për trajtim”.

“Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në spitalin Covid 1 ku mjekja shërbente. Në vijim, komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit, prof. Najada Çomo.

Sigurojmë dhe një herë familjarët dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjendjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli