Masat kundër COVID-19, spitali rajonal në Durrës fillon trajtimin e të infektuarve

Spitali rajonal i Durrësit ka nisur tashmë funksionimin si spital “covid”. Në repartin e posaçëm janë 60 shtretër, përfshirë edhe repartin e  reanimacionit, që do të jenë në funksion të pacientëve që do të kenë nevojë për hospitalizim.

Sipas Drejtoreshës së këtij institucioni, Nadire Jani, është krijuar e gjithë infrastruktura e nevojshme për trajtimin e të infektuarve.

“Janë 60 shtretër, Ministria e Shëndetësisë ka bërë një investim për pajisjen e të gjitha vendeve të Infektivit me bombola të oksigjenit. Tani pacientëve nuk i duhet të shkojnë në Tiranë”, thotë Jani.   

Nadire Jani

Drejtuesja e spitalit rajonal i ka bërë apel familjarëve të të sëmurëve që të mos sjellin ushqime për të afërmit e tyre gjatë kohës që do jenë të shtruar në spital, pasi janë marrë masat që trajtimi me ushqimin e nevojshëm do të bëhet nga Spitali.

“Ushqimi është me katering, dhe i shkon te koka 3 herë në ditë. I bëj thirrje familjarëve që nuk kanë pse të ngarkohen me ushqime, duke sjellë rrezikun e kontaminimit”, vijon ajo.

Aktualisht, qarku i Durrësit, numëron rreth 1800 persona të infektuar aktivë me covid-19. Ashtu si në Durrës, në varësi të situatës së infektimeve, pritet që në të ardhmen të hapen pavijonet e covid thuajse në të gjitha spitalet rajonale të vendit.