Në ditën e presidentëve, ish-presidenti Trump dhe shoqëruesit e tij, kaluan ngadalë, mes protestës së thirrur nga mbështetësit e tij, përpara vilës së tij në Palm Beach. Teksa ata thërrisnin emrin e tij, Trump, i përshëndeti nga makina, por pa e hapur xhamin.
“Të duam” ishte shprehja që mbështetësit thërrisnin gjatë të gjithë rrugës, nga aeroporti deri në kompleksin në Mar-a-lago.
“Ia vlente që udhëtuam deri këtu për ta parë. Ishte një surprizë shumë e bukur që na përshëndeti”, thotë një qytetar.
Qindra mbështetës të tij mbushën bregdetin në “Uest Palm Beach”, për të festuar atje ditën e presidentit, por edhe pafajësinë e provuar të Trump përpara senatit.
“Ishte ajo që ne prisnim. Trump nuk kishte bërë asnjë faj”, shprehet një grua.
“Nuk kishte asnjë mënyrë për ta dënuar. Duheshin 2/3 e votave. Ai nuk kishte bërë asnjë krim. Madje ata nisën impeachment ndaj një ish-presidenti, kjo është qesharake”, vijon një tjetër mbështetës.
Sipas mbështetësve, humbja e zgjedhjeve është thjesht largim i përkohshëm i Trump nga politika, teksa mbanin në duar kapele, flamuj e bluza me emrin apo foton e tij.
“Ata i vodhën zgjedhjet, por ne do të rikthehemi më të fortë se kurrë. Ndaj jemi ne”, thekson mbështetësi i ish-presidenti.