Meta: Për të garantuar rritje ekonomike, duhet të orientohemi drejt prodhimeve cilësore

Untitled collage 72 1100x620

Për shkak të situatës nga koronavirusi, ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të përmirësojnë performancën e tyre. Ky ishte qëndrimi i presidentit Meta në punimet e sotme të Forumit Botëror të Investimeve të Engjëjve të Biznesit 2021.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kreu i shtetit thekson se për të garantuar rritje ekonomike, Shqipëria duhet të orientohet drejt prodhimeve dhe shërbimeve cilësore, me siguri të lartë, në mënyrë që të jemi më konkurrues në tregun rajonal e ndërkombëtar.

“Në punimet e sotme të Forumit Botëror të Investimeve të Engjëjve të Biznesit 2021, shpreha qëndrimin se, për shkak të situatës pandemike, ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet me të gjitha mënyrat, të përmirësojnë performancën, duke mbështetur me politika efikase sipërmarrjen dhe përdorur sa më mirë inovacionin e teknologjinë.

Rajoni ynë është i pasur me burime natyrore, ndaj dhe mundësitë e reja të biznesit duhet të shfaqen në të gjitha fushat.

Është shumë e rëndësishme, që secili vend, përfshirë Shqipërinë, të mbështesë sektorët ku përparësia krahasuese mund të arrihet në raport me shtetet e tjera.

Vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe teknologjinë e informacionit.

Për të qenë të suksesshëm dhe për të garantuar një rritje të qëndrueshme ekonomike, duhet të orientohemi drejt prodhimeve dhe shërbimeve cilësore, me siguri të lartë, konkurruese në tregun rajonal e ndërkombëtar.”, shkruan presidenti Meta.