Shtyhet më 25 shkurt seanca në KLGJ për shkarkimin e gjyqtares, Enkelejda Hoxha

hoxha enkeleda 1100x620

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shtyrë për më 25 shkurt kërkesën e ILD-së për shkarkimin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, e cila u prangos me urdhër të SPAK, pak ditë më parë. Gjyqtarja Hoxha e kishte të pamundur të ishte prezente dhe në seancë u përfaqësua nga avokati i saj, Ardian Visha.

Avokati kërkoi pezullim të procesit me pretendimin se magjistratja Hoxha duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje.

Por, kreu i Inspektoratit të Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, nuk ka qenë dakord, pasi procesi përfshin edhe mbrojtjen nga avokati.

“Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementet e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit. Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur, më 16 korrik 2020, pra prej asaj date magjistratja është ajo njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe magjistratja ka pasur mundësi e kohë për mbrojtjen. Edhe avokati ka pasur kohë sepse është caktuar më 27 janar”.

Sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, Metani tha se nuk ka asnjë propozim zyrtarisht.

“Kur ta kem do e shqyrtoj, edhe pse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i qartë për këtë çështje”.

Ndërkaq, nënkryetari i KLGJ-së, Maks Qoku, u shpreh se magjistratja duhet të saktësojë vullnetin për të qenë në seancë dhe sa i takon kërkesave të tjera, ato të diskutohet pas paraqitjes së mbrojtjes.

Seanca shtyhet më 25 shkurt dhe avokati të depozitojë mbrojtjen me shkrim më 23 shkurt.