Tornado dhe borë nga Atlantiku, në Paqësor, paralajmërohen 150 milionë amerikanë

Të paktën 9 persona raportohet të kenë humbur jetën në SHBA pasi vendi është goditur nga një prej stuhive më të ashpra prej dekadash. Tornadot dhe akulli janë bërë bashkë duke shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullimin rrugor, ku kanë ndodhur edhe pjesa më e madhe e aksidenteve me pasoja fatale.

Në Teksas, turbinat e erës që prodhojnë 20% të energjisë së shtetit, kanë ngrirë dhe si pasojë e kësaj, dhe problemeve të tjera, më shumë se 5 milionë persona kanë mbetur pa energji. Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Teksas, por probleme ka pasur edhe në Xhorxhia dhe Florida, ku disa tornado kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Shërbimi Amerikan i Meteorologjisë tha se mbi 150 milionë amerikanë – gati sa gjysma e popullsisë së vendit – janë paralajmëruar se rrezikojnë të preken nga stuhitë dimërore, që do të jenë të pranishme nga Atlantiku, në Paqësor.