Vetëvendosja fitoi, priten koalicionet për qeverinë e re, ndërkombëtarët në lëvizje

MB KOSOVA E RE frame 1291 1100x620

Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet në Kosovë me një rezultat bindës duke marrë gati 48% të votave. Megjithatë Albin Kurti, i cili kërkon postin e kryeministrit, nuk mund ta formojë qeverinë i vetëm, pasi i duhen 61 mandate, dhe pritet për t’u parë me kë do të bëjë koalicion.

Deri më tani, i hapur për bashkëpunim ka qenë kreu i AAK, Ramush Haradinaj, i cili nga ana tjetër kërkon postin e presidentit, post që në të njëjtën kohë i është premtuar Vjosa Osmanit në aleancë me Albin Kurtin. E teksa priten bashkëpunimet për zhvillimet e brendshme, kanë nisur lëvizjet nga ndërkombëtarët.

Sot, në selinë e Vetëvendosjes ishte ambasadori amerikan, Philip Kosnet, në një takim me Albin Kurtin. Ndërkohë, Bashkimi Europian po analizon ndikimin që mund të ketë rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit në vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë të përbashkët, të lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, përmendet dialogu si një nga çështjet për të cilat presin angazhim konstruktiv të qeverisë së re.

“Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë. Bashkimi Europian pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim vazhdimin e takimeve për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, theksohet në këtë deklaratë.