13 vjet pavarësi në Kosovë, Meta uron Osmanin: Të fuqizojmë bashkëpunimin vëllazëror

osmani meta 1100x620

Presidenti Ilir Meta ka uruar ushtruesen e detyrës së presidentes në Kosovë, Vjosa Osmani, në 13-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e urimit të kreut të shtetit thuhet se Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, si liberalizimi i vizave apo avancimi i procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës.

“Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre 13 viteve Pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e shtetit dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës”.

Kreu i shtetit shqiptar thekson bashkëpunimin vëllazëror në të gjitha fushat për të ndalur shpopullimin.

“Bashkëpunimi vëllazëror dhe Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, meriton të fuqizohet dhe konkretizohet në të gjitha fushat, në veçanti për t’ju dhënë një mundësi e perspektivë sa më të madhe të rinjve  për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurtë europiane, në vendet tona dhe për të ndalur shpopullimin. Shqipëria është e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën”.

Meta ka vlerësuar përpjekjet dhe arritjen e deritanishme të Kosovës në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke u konsideruar në faktor të rëndësishëm për rajonin.

“Përfitoj nga rasti, që në këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajonin tonë”.