DASH për Kosovën: Qeveria e re t’i japë përparësi dialogut

Departamenti Amerikan i Shtetit i bën thirrje Kosovës t’i japë përparësi dialogut me Serbinë. Zëdhënësi i DASH, Ned Price, tha për Zërin e Amerikës se do të inkurajojnë qeverinë e re, sapo të formohet t’i kenë prioritet negociatat me Serbinë.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë, që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”.

Ai tha se SHBA përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet e tyre të suksesshme parlamentare.

“Ne shpresojmë të punojmë me qeverinë, sapo ajo të formohet, për çështjet prioritare, për të avancuar paqen, drejtësinë dhe begatinë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.

Ai tha gjithashtu se SHBA do të mbështesë përpjekjet e administratës së mëparshme për të arritur normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë.