“Kemi transmetueshmëri të lartë të virusit”, mjeku Cenko: Spitalet rajonale duhet të hapeshin më parë

Është fakt tashmë që edhe në vendin tonë ka transmetueshmëri të lartë të koronavirusit dhe nuk përjashtohen edhe variantet e reja. Mjeku Fabian Cenko i ftuar në “Dita jonë” për situatën pandemike në vend tha se duhet të merren masa për të ndërprerë këtë transmetim.

“Rastet në popullatë janë shtuar dhe gjithkush do thoshte që ky virus po qarkullon më shumë. Ka më shumë transmetim të virusit. Komiteti i Ekspertëve duhet të shohë ku ndodh ky transmetim dhe çfarë masash duhet të merren për të ndërprerë këtë transmetim. Fakti është që kemi transmetim të madh edhe nga moskufizmi. Këtë duhet të na e tregojnë me të dhëna të besueshme ata që kanë detyrimin e ndjekjes së kësaj epidemie. Variantet e reja që qarkullojnë janë që kanë transmetueshmëri më të madhe. Fatmirësisht, nuk kemi arsye për të besuar që kanë gravitet apo gjasa për të çuar në forma të rënda të sëmundjes, por transmetohen më kollaj”.

Sipas mjekut, Cenko tha se sa më shumë qarkullon sëmundja aq më shumë mutacione ndodhin dhe këtu ekspertët duhet të vlerësojnë mënyrën e transmetimit dhe çfarë duhet të zbatohet.

“Nëse bota do kishte 10 herë më pak transmetime do kishim më pak variante të reja. Sa më shumë qarkullon sëmundja aq më shumë mutacione ndodhin dhe aq më i madh është probabiliteti që mund të persistojnë në popullatë. Kontributi ynë është kufizimi i rasteve në favor të njerëzimit për të kontrolluar rastet. Ka më shumë transmetim të virusit që do të thotë se çdo përpjekje për të kontrolluar epideminë duhet të vlerësojë mënyrën e transmetimit dhe çfarë duhet të zbatohet. Nuk është faji i kurrkujt, por të gjithë duhet të përpiqen të bëjnë më mirë seç kanë bërë”.

Për mjekun Cenko, spitalet rajonale duhet të ishin hapur më përpara, pasi numri i njerëzve që ndiqen në familje dhe spitale rajonale është shumë i lartë.

“Popullata ka një qasje të lehtë dhe të përgjegjshme, por shoh që edhe në raport me masat e kreativitetin edhe këto nuk më japin asnjë ndjesi që organet përgjegjëse janë në ndjekje të të dhënave dhe energjinë e duhur për të ndërhyrë. Spitalet rajonale duhet të ishin hapur më përpara, numri i njerëzve që ndiqen në familje e spitale rajonale është i paparë”.