Kriza nga pandemia, Caslli: Qeveria të ndihmojë sektorët më të dëmtuar

17 SHKURT 2021 A2 BUSINESS PGM frame 108698 1100x620

Drejtori i Deloitte në Shqipëri, Maksim Caslli komentoi në A2 Business ndihmën e qeverisë për individët dhe bizneset gjatë periudhës së pandemisë.

Sipas z.Caslli, kriza ende nuk ka përfunduar dhe ftoi qeverinë që të japë ndihmë për sektorët më të dëmtuar të ekonomisë, mes të cilëve renditi të parin turizmin.

“Ndihma e qeverisë ka qenë kryesisht për individët dhe pak te biznesi i vogël dhe te biznesi në përgjithësi. Në situatë krize ka pak rëndësi rënia ekonomike në shifra, por ne do të ishim në recesion si e gjithë bota. Nëse gjithmonë nga biznesi pritet më shumë nga qeveria, i takon opozitës të thotë se përse ajo nuk e ndihmon.

Nga ana tjetër qeveria ka përgjegjësinë e menaxhimit të këtyre fondeve në mënyrën më eficiente. Kriza nuk ka mbaruar do të vijojë dhe të paktën 8 muaj. Nuk është vonë që të jepet ndihmë. Ajo duhet të jepet në sektorët më të dëmtuar.

Për mua turizmi është një ndër sektorët më të dëmtuar dhe do të vijojë të jetë dhe gjatë këtij sezoni. Vazhdimi i ndihmës për biznesin e vogël është i mirëpritur për ringjalljen e motorit ekonomik”, tha Caslli.