Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Një vit nga Konferenca e Donatorëve, Soreca rendit arritjet

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2021, 10:55 | Politikë
Një vit nga Konferenca e Donatorëve, Soreca rendit arritjet

Në njëvjetorin e Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve për Shqipërinë, kreu i delegacionit të BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, deklaroi se që nga dita e parë, Bashkimi Evropian ka treguar solidaritet të pashembullt me ​​Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

“Ne premtuam të ndihmojmë dhe tani po e realizojmë duke investuar në sektorët e prekur rëndë të arsimit dhe kulturës. Asgjë nuk e mishëron qëndrueshmërinë dhe besimin tek e ardhmja më mirë sesa shkollat. Objektet e reja arsimore po ndërtohen me përfshirjen e komuniteteve lokale, duke ndjekur standardet më të larta evropiane. Ndërkohë, rigjallërimi i trashëgimisë kulturore do të sjellë përfitime për ekonominë vendore, do të diversifikojë turizmin dhe do të forcojë lidhjen midis Shqipërisë dhe historisë së saj evropiane. Përgjigjja e Bashkimit Evropian dhe Shteteve Anëtare të tij gjatë gjithë vitit të kaluar ka treguar edhe një herë se BE-ja është donatori i parë dhe partneri më i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.”

Soreca theksoi se në maj të vitit 2020, BE-ja nisi programin prej 75 milionë eurosh për rehabilitimin dhe rindërtimin e 58 shkollave dhe kopshteve në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti.

“Në janar 2021, përfunduan punimet e riparimit në Shkollën e Mesme Profesionale “Hysen Çela” në Bashkinë e Durrësit. 1370 nxënës dhe 51 mësues do të përfitojnë tashmë nga një shkollë e re moderne. Tashmë janë edhe 18 shkolla të tjera që po riparohen apo rindërtohen plotësisht në zonat e prekura. Deri në qershor 2021, do të përfundojnë edhe gjashtë objekte të tjera në bashkitë e Durrësit, Kamzës dhe Kurbinit”.

Ndërsa për programin prej 40 milionë eurosh, për trashëgiminë kulturore, i cili ka nisur në shtator, Soreca u shpreh se janë identifikuar zonat ku do të nisin ndërhyrjet e para në muajin mars.

“Ekipet teknike kanë inspektuar 43 ndërtesa dhe site të dëmtuara nga tërmeti, si dhe kanë identifikuar sitet se ku do të nisin ndërhyrjet e para nga muaji mars: Muzeu Etnografik në Kavajë, Kisha e Shën Mërisë në Rubik dhe Kisha e Shën Ndojit në Kepin e Rodonit. Nga muaji prill, i këtij viti punimet do të nisin edhe në nëntë site të tjera që kanë nevojë për ndërhyrje të rëndësishme strukturore, përfshirë Teatrin Kombëtar të Kukullave dhe Muzeun Kombëtar të Historisë”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani