Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, a i ka mbajtur qeveria premtimet për rindërtimin?

Kryeministri Edi Rama e nisi të mërkurën me një postim në Facebook teksa pohoi se “siç po fitohet beteja me rindërtimin, njëjtë do ndodhë edhe me vaksinimin”.

“Mos e harroni që të nesërmen e tërmetit askush s’e besonte që do t’ia dilnim rimëkëmbjes së atyre mijëra e mijëra familjeve të mbetura pa strehë, por ne po e fitojmë hap pas hapi betejën e Rindërtimit, për të gjitha ato familje dhe për Tiranën, Durrësin, Kurbinin, Krujën, Vorën, Kamzën, Lezhën, Mirditën, Kavajën, Rrogozhinën e krejt Shqipërinë”, shkroi Rama.

Më herët, më 2 shkurt, ministri Arben Ahmetaj, teksa përditësonte të dhënat mbi procesin e rindërtimit tha se qeveria kishte mbajtur premtimet. “Kemi mbajtur premtimin. Kishim 11 mijë familje në çadra dhe mbi 6 mijë familje me bonus qiraje. Sot që flasim janë 13 mijë familje me bonus qiraje, 680 familje në çadër. Janë 32 mijë familje përfituese nga grantet. 285 milionë euro janë grante në rindërtime. Kemi shumë kantiere në punë”, thoshte ai.

Por, a i ka mbajtur qeveria premtimet për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019?

Një ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri Rama premtoi se të prekurit nga tërmeti do hynin në shtëpitë e reja brenda vitit 2020. Në vijim të zotimeve, ai madje garantoi se banesat e para individuale do ishin gati brenda 6 mujorit të parë të 2020-s. Këtë angazhim të ndërmarrë shumë shpejt pas ngjarjes tragjike, kreu i qeverisë e përsëriti edhe dy ditë më pas, më 29 nëntor, në një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit të ministrave. “Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti. Duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira se ç’ishin para tërmetit”, tha ai.

Por, më 10 dhjetor, kryeministri Rama e ndryshoi premtimin e tij mbi rindërtimin e shtëpive të dëmtuara rëndë nga tërmeti. Në një vizitë te banorët në çadra, ai premtoi rindërtimin e plotë të shtëpive të reja të zonave rurale brenda vitit 2020, në ndryshim nga rindërtimi i të gjithë shtëpive në total që kishte premtuar më parë.

Më 30 dhjetor, gjatë komunikimit “online” me qytetarët për mbylljen e vitit kalendarik 2019, Rama lëvizi dhe ndryshoi nga premtimi i tij. Ai mbajti të njëjtin afat, fundin e vitit 2020, por jo më për të gjithë ata që kishin humbur shtëpitë në zonat rurale.

Në muajt që pasuan, kreu i qeverisë garantoi që së paku banorët e zonave rurale do të ishin futur në shtëpitë e reja brenda fundit të vitit 2020. Edhe pse u zotua se pandemia e Covid-19 që u shfaq në mars 2020 nuk do të ndikonte në afatet e rindërtimit, qeveria u detyrua të shtyjë disa herë afatet e këtij procesi.

Pas 13 muajve, nga 1 mijë banesa të premtuara deri në fund të vitit 2020, vetëm 600 prej tyre janë përfunduar, në një kohë që premtimi fillestar i kryeministrit ishte rindërtimi i 4000 mijë banesave individuale brenda 2020. Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Ministria e Rindërtimit, rreth 650 familje vijojnë të qëndrojë në çadra, për të dytin dimër radhazi.

Rindërtimi i kopshteve dhe shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ka mbetur ende një premtim i pa mbajtur. Rezultati për fundin e vitit 2020 është shumë larg asaj që ishte premtuar fillimisht nga kryeministri Rama sipas së cilës të gjitha shkollat do të ishin gati për fillimin e vitit të ri mësimor.

Edhe afati i dhënë nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ahmetaj ka mbetur i pambajtur. “Brenda 1 nëntorit kjo parti shkollash do të ketë mbaruar, që janë mbi 40. Duhej të ishin 59, por 22 i ka marrë UNDP, të cilat po i ndjekim paralel”, tha Ahmetaj në një mbledhje online, më 24 prill 2020.

Teksa edhe ky afat ka skaduar prej më shumë se dy muajsh, edhe ky premtim i qeverisë për rindërtimin nuk është përmbushur.