Silva Bino tregon në A2 si do të lajmërohen qytetarët kur t’iu vijë radha për t’u vaksinuar

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino reagoi në studion e Ditarit në A2 pas një postimi të presidentit Meta, i cili shprehu shqetësimin e tij në lidhje me situatën e koronavirusit në vend, ku më pas akuzoi autoritetet se nuk kanë një plan të qartë për vaksinimin e popullsisë.

Bino tha se plani për vaksinimin është i qartë dhe se ai është i detajuar me të gjithë numrat përkatës të kategorive që do të vaksinohen.

Ekspertja shtoi se plane të vegjël ose “mikroplane” janë përgatitur dhe për çdo bashki. Bino ndau lajmin se personave që do t’iu vijë radha për t’u vaksinuar do të njoftohen nga mjeku i familjes.

“Situata është kritike. Komiteti i Ekspertëve ka rekomanduar përforcimin e masave. Sepse që të japë efekt programi i vaksinimit do të duhet një farë kohe. Kemi një plan kombëtar vaksinimi dhe një plan të përgatitur me numra përkatës, të personelit shëndetësor, të moshuarve, personave me probleme shëndetësore etj. Të gjitha numrat janë të gatshme në planin kombëtar të vaksinimit. Në bazë të numrave kemi dhe mikroplanin për çdo bashki. Plani i vaksinimit mund të zhvillohet tek ambulanca e lagjes, në një qendër komunitare. Një qytetar do të lajmërohet nga mjeku i familjes kur t’i vijë radha për t’u vaksinuar”, tha Bino.