Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

“Absolut 4”, Prova e tretë?

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2021, 22:41 | Politikë
“Absolut 4”, Prova e tretë?

Pse e do PS “provën” e tretë?, Pëllumbi: Kemi reforma për të përfunduar, Krasniqi: Qeveria shet propagandë, nuk punon

Në emisionin e së enjtes në “Absolut 4” është diskutuar ambicia që ka shpallur kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste për të fituar një mandat të tretë në zgjedhjet e 25 prillit, duke e bërë atë për herë të parë të vetmen forcë që nga nisja e demokracisë që drejton vendin për 12 vite me radhë.

Sekretar organizativ i PS, Arben Pëllumbi renditi disa nga arsyet se përse socialistët kërkojnë një mandat tjetër. Ai përmendi reformat e realizuar deri tani dhe ato që janë duke u përmbushur dhe shtoi se socialistët e kanë treguar se i përballojnë sfidat si pandemia dhe tërmeti dhe për këtë arsye kanë ende për të dhënë për qytetarët.

Analisti Afrim Krasniqi e komentoi ndryshe çështjen e kërkesës së kryeministri për një mandat të tretë. Ai tha se ky mandat kërkohet nga Edi Rama dhe jo Partia Socialiste. (Lajmi i plotë)

Kikia: Qeveritë në Shqipëri rrëzohen vetë në fund të mandatit të dytë, Rama kërkon përfitim politik dhe nga gjërat e vogla

Gazetari Mentor Kikia u shpreh i rezervuar në mendimin e tij për të thënë nëse kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste e meritojnë një mandat të tretë apo jo në krye të qeverisë.

Sipas tij, historia ka treguar se në fund të mandatit të dytë qeveritë rrëzohen vetë për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit.

Kikia kritikoi dhe sjelljen e kryeministrit në kohët e fundit që sipas tij kërkon të gjejë përfitim politike dhe te gjërat e vogla duke përmendur këtu dhe turet e Ramës në qytetet ku nis për herë të parë procesi i vaksinimit. (Lajmi i plotë)

Mandati i tretë i PS, Kikia: Arsyeja për të mos e votuar, vetë Rama

Duke folur në emisionin “Absolut 4” për ambicien e kryeministrit Rama për një mandat të tretë, gazetari Mentor Kikia u shpreh se nëse do e pyesnin a ka arsye për ta votuar Ramën, ai do përgjigjej që arsyeja kryesore për të mos votuar kryeministrin, është vetë ai.

Sipas Kikisë, te kreu i qeverisë e tremb Uni i theksuar, që mund të sjellë pasoja të rënda për demokracinë. (Lajmi i plotë)

Krasniqi: Kush ka vjedhur votën në Shqipëri, ka bërë karrierë të sigurtë në politikë

Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, deklaron në emisionin “Absolut 4” se kush ka vjedhur votën në Shqipëri është sponsorizuar dhe ka bërë karrierë të sigurtë në politikë.

Për ta konkretizuar, Krasniqi sjell rastin e dosjes së Dibrës, për të cilën thotë se të gjithë emra e përfshirë në të u bënë deputetë e ministra. (Lajmi i plotë)

A ka PS vullnet politik kundër korrupsionit? Krasniqi: Duhet të kishte larguar personin në listën e zezë të DASH

Pjesë e debatit në “Absolut 4” nëse Partia Socialiste meriton një mandat të tretë ishte dhe çështja e reformës në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.

Për drejtuesin e Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi nëse kjo forcë politike do të kishte vullnet për të luftuar korrupsionin do të duhej të largonte nga Kryesia e saj një person që është në listën e zezë të Departamentit të Shtetit, duke iu referuar në këtë mënyrë ish kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Sipas Krasniqit, largimi i Dakos është kompetencë vetëm e PS, gjë të cilën ajo nuk e ka bërë. (Lajmi i plotë)

Vjedhja e votës, Pëllumbi: Asnjë lloj manipulimi, nuk sjell tjetërsim rezultati

Arben Pëllumbi, sekretar organizativ i PS deklaroi në “Absolut 4” se asnjë lloj manipulimi në zgjedhje, nuk sjell tjetërsim të rezultatit final.

Sipas Pëllumbit, vjedhja e votave është një opinion që përhapet nga vetë njerëzit dhe më pas shënohet në raportet e ndërkombëtarëve. (Lajmi i plotë)

A2 CNN Livestream

Dita jonë