Akuzat e PD, Koduzi: Shqipëria ndër të fundit në Europë për vaksinimin

pd covid frame 396 1100x620

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se ka dështuar në vaksinimin e popullsisë në vend. Gazmend Koduzi nga Departamenti i Shëndetit në selinë blu deklaroi se jemi ndër të fundit në Europë në këtë sfidë të pandemisë.

“Me gjithë propagandën boshe të kryeministrit në ikje, Shqipëria renditet një nga vendet me avancimin më të pakët në vaksinimin e popullsisë në Europë. Sipas “The Our World in Data”, në Shqipëri deri në datën 14 shkurt, janë administruar 0.04 doza vaksinash për 100 banorë, ndërsa mesatarja e Europës deri në 16 shkurt ishte 5.91 doza për 100 banorë. Edi Rama gënjeu kur tha se kishte garantuar dozat e mjaftueshme për vaksinimin e popullsisë. Të dhënat reale tregojnë krejt të kundërtën dhe provojnë dështimin e tij dhe të qeverisë në sigurimin e vaksinës”, tha Koduzi.

“Edi Rama ka dështuar në gjithçka këto 8 vite dhe nuk ka mbajtur asnjë premtim ndaj dhe ka dështuar edhe në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Edi Rama nuk mendon për shqiptarët, por për veten e tij dhe miqtë e tij, të cilëve u jep me PPP paratë e taksave tona. Edi Rama ka dështuar ndaj dhe duhet larguar pasi nuk mund të ketë më në dorë fatet dhe jetën e shqiptarëve. PD ka një plan për të shëruar Shqipërinë. Më 25 prill fitojnë shqiptarët dhe humbet Edi Rama”.