Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB gati vaksinimi ne Vlore frame 0 1100x620

Nis sot në Vlorë procesi i vaksinimit. Bëhet fjalë për 1500 doza dhe 745 persona që do të vaksinohen si pjesë e stafeve mjekësore. Pritet që të marrë pjesë edhe kryeministri Rama. Ndërkohë, edhe spitali i Vlorës i shtohet strukturës së trajnimit të Covid.

Tomini: Shqipëria, plan të mirëfilltë për vaksinimin e popullatës

Ka një plan të mirëfilltë për vaksinimin e popullatës. Kjo është deklarata më e fundit e zv.ministres së Shëndetësise, Eugena Tomini, teksa konfirmoi se deri më tani ka shkuar çdo gjë sipas planit fillestar. Në këtë kuadër, pas Tiranës dhe Vlorës, procesi nis sot në qytetin e Vlorës. “Kemi lokalizuar vendin ku do të bëhet”, tha Tomini. Vendi ynë sikurse shumë shtete të tjera ka vënë në plan të parë mjekët dhe infermierët për të vijuar me të moshuarit, sikurse ishte rasti i djeshëm në Shkodër.

Migrimi dhe menaxhimi i tij, komisionerja Johansson viziton sot Shqipërinë

Migracioni ka qenë një shqetësim për Bashkimin Evropian dhe vendet e Ballkanit janë të parët që kanë më shumë kërkesa për vendet e unionit.

Në lidhje me këtë çështje vendin tonë e viziton sot komisionerja evropiane për Punët e Brendshme, Ylva Johanson.

Në agjendën e takimeve listohen, presidenti Meta, kryeministri Rama, ministri i brendshëm Çuçi dhe kryedemokrati Basha.

Sulmohet autobusi me turistë shqiptarë në Malin e Zi

Është sulmuar me gurë në Berane të Malit të Zi autobusi me turistë shqiptarë që kishin shkuar për ski në Kolashin.

Sipas televizionit publik të Malit të Zi, autobusi i përket agjencisë “Gjafa Tours” dhe se policia është duke u marrë me rastin. Nuk është bërë e ditur nëse ka të lënduar. Ndërkohë që burime për A2 CNN, bëjnë me dije se pjesa më e madhe e turistëve janë nga Peja e Kosovës

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme dhe menjëherë pas njoftimit Policia malazeze ka mbërritur në vendin e ngjarjes.

Qeveria Draghi merr votëbesimin në Senat me 262 vota pro

Me 262 vota pro, 40 kundër dhe dy abstenime, qeveria e Mario Draghi-t mori votëbesimin në Senat. Kundër qeverisë Draghi votuan 15 senatorë të M5, ndërsa 8 nuk morën pjesë në votim. Përveç kësaj, midis kundërshtarëve, janë 19 parlamentarë të Vëllezërve të Italisë, të gjithë anëtarë të grupit në Pallatin Madama.

“Po-ja jonë nuk do të jetë kurrë e pakushtëzuar”, thotë udhëheqësi i grupit M5S në Senat Ettore Licheri gjatë përgjigjes në Senat. “Do të jetë një PO vigjilente, do të thoja e kujdesshme”.

Ishte një ditë historike për kryeministrin e ri, i cili bëri debutimin e tij në Parlament duke mbajtur fjalimin kryesor në Pallatin Madama. Me dy sfida përparësore: lufta kundër pandemisë dhe rindërtimi i vendit, si në periudhën e pasluftës.

Po sot qeveria e re italiane përballet për të parën herë me mërinë qytetare shkaktuar nga ndalimi i aktivitetit të skive në zonat malore të vendit që përbën edhe vendimin e parë të qeverisë Draghi. Shoqata e bizneseve të turizmit mbështetur edhe nga shumë sipërmarrës vendas ka paralajmëruar një protestë ditën e sotme në disa qytete veriore si Aosta për të kundërshtuar vendimin e qeverisë, i cili dëmton ekonominë vendase. Në vendimin e saj, qeveria arsyeton se ky lloj aktiviteti ndikon në përhapjen e koronavirusit.

Facebook bllokon përdoruesit australianë nga leximi dhe shpërndarja e lajmeve

Facebook ka vendosur të bllokojë publikimet me lajmet si përmbajtje kryesore, duke mos i lejuar përdoruesit t’i lexojë apo t’i shpërndajë në Australi, duke vendosur një vijë të kuqe në ligjin Australian.

Lëvizja u publikua të mërkurën, në një përgjigje ndaj gjigandit teknologjik që u vendos nën sulm nga publikuesit e rinj, që akuzojnë kompanitë e mëdha se kanë shkatërruar biznesin e tyre të marketingut. Qeveria federale në Australi thotë se ligji i hartuar do të detyrojë efektivisht kompanitë Google dhe Facebook që të dakordësohen përmes marrëveshjeve me kompanitë mediatike, ose të vendosin rregulla të qarta mes tyre, dhe vota për këtë ligj, do të vijë pas disa javësh.

SHBA akuzon 3 koreano-veriorë për komplot për të vjedhur mbi 1.3 mld dollarë dhe kriptomonedha

Prokurorët federalë amerikanë kanë akuzuar Korenë e Veriut dhe 3 hakerat kryesorë të saj se kanë planifikuar të vjedhin më shumë se 1.3 miliardë dollarë nga banka dhe kompani përqark botës. Lajmi u publikua nga Departamenti i Drejtësisë.

Në një aktakuzë të pavulosur në Kaliforni, autoritetet thonë se kanë nisur operacionin nga viti 2014 deri në 2020, me fokus kryesor studiot e filmave me fitime të larta dhe tregtarët e kriptovalutës, me teknologji të sofistikuar, për të cilët zyrtarët e sigurisë kombëtare thanë se kanë shënuar kërcënimin më të lartë të krimit kibernetik.

Anëtarë të agjencisë së inteligjencës ushtarake, të tre hakerat janë akuzuar për sulmin e 2014-s ndaj kompanisë Sony, në lidhje me shfaqjen e një filmi bazuar mbi jetën e liderit koreano-verior, sikurse edhe sulmin shkatërrues ndaj Bankës Qendrore të Bangladeshit në vitin 2016, që i shkaktoi vendit një dëm prej 81 milionë dollarësh.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, të tre hakerat, i kanë planifikuar sulmet jo vetëm nga Koreja e Veriut, por edhe kur janë zhvendosur në Rusi apo Kinë.

Stuhitë dhe moti i keq pushtojnë SHBA-në

Një stuhi e frikshme dimri dhe i ftohti i acartë kanë pushtuar mbarë Shtetet e Bashkuara, por Teksasi është ai që po i ndjen më shumë pasojat, ku energjia elektrike është shkëputur me miliona banorë që kanë mbetur në errësirë prej ditësh tashmë. Sipas autoriteteve shtetërore, nga kufiri me Meksikën deri në Oklahoma e Houston, banorët po jetojnë në terr.

Zyrtarët e Teksasit thanë po ashtu se fajtore është kompania e shpërndarjes së energjisë, e për këtë do të nisin hetimet. Por problemet me energjinë janë shoqëruar edhe me temperaturat më të ulëta rekord, që duket se do të vazhdojnë deri në fund të javës.

Mbi 21 milionë qytetarë apo thuajse 70% e popullsisë së Teksasit, po jetojnë pasojat e këtij dimri të rëndë. Ndërkohë, sipas shërbimit meteorologjik, stuhia e acartë po zhvendoset drejt lindjes, ndërsa parashikojnë se temperaturat do të rriten lehtë javën e ardhshme, edhe pse në shumë shtete do të mbeten përsëri nën temperaturat normale të dimrit.

Pasaportë me maskë në Kaliforni, vështirësi në identifikim

Patentë me maskë. Kjo është ajo çka ka nisur të ndodhë në Shtetin e Kalifornisë, ku qytetarët, edhe fotografinë për patentën, po e bëjnë me një maskë mbrojtëse në fytyrë, duke e bërë të vështirë identifikimin e drejtuesit të mjetit.

Kjo ka ndodhur me Lesley Pilgrim, e cila as vetë nuk e ka kuptuar që kur ka pozuar për fotografinë e patentës, ka qenë me maskën e vënë, por kjo ka ndodhur me qindra qytetarë. Në fund, ajo ka marrë edhe urimin, se tashmë zotëron patentën në formatin e ri për Kaliforninë.

Ajo thotë se vendi ku realizoi fotografinë, ishte shumë strikt dhe nuk të lejonin ta hiqje maskën, as kur bëje foton. Ajo kishte qëndruar në radhë për 3 orë për të bërë atë foto.

Autoritetet reaguan duke theksuar se pavarësisht gabimeve, këto patenta janë funksionale dhe do të përdoren. Dhe duket se kjo është fotoja perfekte në kohë pandemie, edhe pse në një mjet identifikimi.

Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare poeti, Lefter Çipa

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare poeti, Lefter Çipa. Mësohet se poeti ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Ai ka lënë pas një krijimtari të gjerë në libra e tekste këngësh.

Lefter Çipa ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh. Çipa do të mbetet në mendjen e shqiptarëve si mjeshtri i madh i poezisë popullore.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Lefter Çipa konsiderohej “princi i sotëm” i polifonisë shqiptarë. Ai është edhe autori i papërsëritshëm i këngëve artistike dhe muzikore.