Letrat me vlerë, shtrenjtohen interesat e borxhit të brendshëm

Qeveria po merr borxh më shtrenjtë këtë vit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një rritje të ndjeshme të interesave të letrave me vlerë, si për titujt afatgjatë ashtu edhe për ato afatshkurtër. Në harkun kohor të tre muajve, yieldi mesatar, apo norma e pritshme e kthimit të investimit, për bonot 12-mujore, u rrit nga 1.8% në 2.15%.

Një rritje e tillë ishte e pritshme, për shkak se qeveria planifikon të marrë më shumë borxh në tregun e brendshëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kur Ministria e Financave po përdorte edhe fondet e siguruara nga eurobondi.

Tashmë me rritjen e kërkesës, investitorët në këto letra me vlerë presin interesa më të lartë. Ajo që bie në sy është edhe një orientim drejt titujve afatgjatë, që garantojnë pikërisht më shumë fitime.

Arsye pse në ankandin e fundit të kësaj jave për bonot 3-mujore, u ofrua më pak se gjysma e shumës së kërkuar nga qeveria.

Në total deri në fund të Marsit, Financat planifikojnë të marrin 96.7 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm, nga të cilat 67.7 miliardë lekë në bono 3, 6 dhe 12 mujore, që aktualisht kanë interesa të rritura.