Programi ekonomik i PS, Denaj: Zbulohet ditët në vijim, jo vetëm ndryshime fiskale

Javët e fundit të nisjes zyrtare të fushatës elektorale, përkojnë me një prej krizave ekonomike më të forta që ka përjetuar vendi. Kësisoj partitë e kanë kthyer planin e rimëkëmbjes në qendrën e programeve të tyre.

Por kur PD dhe LSI kanë prezantuar premtimet e tyre kryesore për taksat, nxitjen e investimeve dhe rritjen e mirëqenies, qeveria ende nuk ka shpalosur një platformë konkrete për drejtimin e vendit 4 vitet e ardhshme. Sipas Ministres së Financave Anila Denaj, plani i socialistëve do të prezantohet së shpejti dhe do të përmbajë lehtësi për biznesin, si agjenti kryesor që vë në lëvizje ekonominë.

 “Programi do të jetë publik pas disa ditëve, i takon kryeministrit ta bej publike. Por mund te them që sistemi i këtij programi parashikon elementët e ndryshëm që mund të nxisin ekonominë”, ishin fjalët e ministres.

Kryeministri e ka bërë publike tashmë se plani i socialistëve për ekonominë është afatgjatë deri më 2030-ën. Elementi i vetëm konkret që është prezantuar është ndërhyrja në  sistemin e taksimit progresiv të pagave, ku do të ketë zgjerim të fashave të taksueshme.

Nga ana tjetër, që prej rihapjes së ekonomisë, bizneset dhe qytetarët presin një plan të rimëkëmbjes, për të rigjallëruar konsumin dhe shtyrë zgjerimin e aktivitetit privat. Pa dhënë detaje, ministria e financave ka pohuar për A2CNN se do të ketë një paketë ndihme sektoriale me fokus kryesisht prodhuesit dhe eksportuesit, e cila po dakordësohet me këta të fundit.