Punonjësit e Vatikanit që refuzojnë vaksinën Covid-19, mund të pushohen nga puna

Vatikani miraton përdorimin e vaksinave anti Covid që përdorin inde nga fetuset e abortuara 1100x620

Vatikani iu bëri me dije punonjësve të saj se ata mund të humbin punën nëse refuzojnë të vaksinohen kundër Covid-19.

Një dekret i nënshkruar nga Kardinali Giuseppe Bertello, guvernatori i Vatikanit, thotë se ata punonjës që refuzojnë vaksinën pa arsye të ligjshme shëndetësore mund të transferohen në një pozicion tjetër ose madje mund të pushohen nga puna përfundimisht.

Dekreti, i datës 8 shkurt, i referohet një ligji të Vatikanit të nënshkruar në vitin 2011 i cili thotë se punonjësit që refuzojnë t’i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore mund t’i nënshtrohen “niveleve të ndryshme të pasojave, duke përfshirë ndërprerjen e kontratës së punës”.

Dekreti argumenton se vaksinimi për Covid-19 është një “vendim i përgjegjshëm” ndërsa “refuzimi i vaksinës përbën një rrezik për të tjerët”.

Papa Françesku, i cili ka marrë vaksinën, ka folur publikisht në favor të vaksinimeve.

“Unë besoj se të gjithë duhet të marrin vaksinën. Nuk është një opsion, është një zgjedhje etike sepse ju po luani kumar me shëndetin tuaj, me jetën tuaj, por gjithashtu jeni duke luajtur bixhoz me jetën e të tjerëve”, tha Ati i Shenjtë në një intervistë me Canale 5 të Italisë muajin e kaluar.

Vatikani filloi vaksinimin e punonjësve dhe familjeve të tyre më 13 janar.