Renditja e FIFA-s, asnjë ndryshim pozicioni për Shqipërinë dhe Kosovën

126015082 3346342848798254 9048202392788423277 o 1100x620
Nga Shqipëri - Bjellorusi, 3-2

Shqipëria dhe Kosova nuk ndryshojnë pozicion në renditjen e FIFA-s edhe në startin e vitit 2021. Në klasifikimin e muajit janar, kuqezinjtë mbeten në vendin e 66-të, pas skuadrave si Mali I Zi, Hondurasi dhe Maqedonia, ndërsa ka lënë mbrapa Arabinë Saudite, Bullgarinë dhe Irakun.

Shqipëria e mban këtë pozicion në renditjen botërore prej muajit nëntor, kur u zhvilluan edhe ndeshjet në Ligën e Kombeve, me ekipin e Edy Rejas që triumfoi me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, duke e fituar grupin. Fakti që prej asaj periudhe nuk janë luajtur më takime ndërkombëtare, ka ndikuar që renditja të mbetet e njëjta.

Asnjë ndryshim edhe për Kosovën, që mbetet në vendin e 117-të. Dardanët e shohin veten pas skuadrave si Korea e Veriut e Sierra Leone, ndërsa kanë lënë pas vetes Zelandën e Re, Guinea Bissau, Taxhikistan, Namibi dhe Kazakistanin.

Asnjë ndryshim edhe në vendet e para në renditje. Belgjika kryeson e ndjekur nga Franca dhe Brazili, ndërsa jashtë podiumit janë Anglia, Portugalia e Spanja. “Top 10” plotësohet nga emra si Argjentina, Uruguai, Meksika dhe Italia, të ndjekura nga Kroacia, Danimarka, Gjermania në vendin e 13-të dhe Holanda.