SHBA akuzon 3 koreano-veriorë për komplot, për të vjedhur mbi 1.3 mld dollarë dhe kriptomonedha

MB KOREJA E VERIUT frame 757 1100x620

Prokurorët federalë amerikanë kanë akuzuar Korenë e Veriut dhe 3 hakerat kryesorë të saj se kanë planifikuar të vjedhin më shumë se 1.3 miliardë dollarë nga banka dhe kompani përqark botës. Lajmi u publikua nga Departamenti i Drejtësisë.

Në një aktakuzë të pavulosur në Kaliforni, autoritetet thonë se kanë nisur operacionin nga viti 2014 deri në 2020, me fokus kryesor studiot e filmave me fitime të larta dhe tregtarët e kriptovalutës, me teknologji të sofistikuar, për të cilët zyrtarët e sigurisë kombëtare thanë se kanë shënuar kërcënimin më të lartë të krimit kibernetik.

Anëtarë të Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake, të tre hakerat janë akuzuar për sulmin e 2014-s ndaj kompanisë Sony, në lidhje me shfaqjen e një filmi bazuar mbi jetën e liderit koreano-verior, sikurse edhe sulmin shkatërrues ndaj Bankës Qendrore të Bangladeshit në vitin 2016, që i shkaktoi vendit një dëm prej 81 milionë dollarë.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, të tre hakerat, i kanë planifikuar sulmet jo vetëm nga Koreja e Veriut, por edhe kur janë zhvendosur në Rusi apo Kinë.