Si do të votojnë të infektuarit me Covid në Shqipëri?

18 SHKURT 2021 DITARI 13 00 CLN frame 49234 1100x620

“Kodi Zgjedhor nuk parashikon procedura të posaçme në këtë drejtim”, u shpreh përfaqësuesi demokrat Ivi Kaso në A2 CNN, kur u pyet se si do të votojnë të infektuarit me Covid-19. Sipas tij, ky është një problem që do të duhet të adresohet, pasi aktualisht në vendin tonë regjistrohen mbi 30 mijë persona të infektuar me koronavirus.

“Do të kishte shqetësime të veçanta me fshehtësinë e votës. Është një nga çështjet që do ta kenë në vëmendje dhe do të kërkonte një protokoll të detajuar dhe në lidhje me fshehtësinë e votës”.

Sipas Kasos, një nga shqetësimet e PD-së është sigurimi i së drejtës së votës për sa më shumë shtetas shqiptarë, se kjo do të garantojë ndryshimin.

“Një nga shqetësimet tona është sigurimi i të drejtës së votës për sa më shumë shtetas shqiptarë, se kjo do të garantojë ndryshimin. Ne kemi në vëmendje çdo aspekt që lidhet me ushtrimin e të drejtës së votës në çdo aspekt. Shqiptarët janë të etur për ndryshim dhe është detyrë e KQZ që ta realizojë me standarde dhe të bëjnë ç’është e mundur që ta ushtrojnë këtë të drejtë”.

Sa i takon votës së emigrantëve, Kaso akuzoi qeverinë se nuk bëri asgjë për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Sipas tij, janë vetëm 800 shtetas dhe qeveria nuk di të thotë se me çfarë procedurash janë regjistruar

“Është një qeveri që ka thyer çdo pritshmëri e fjalë të dhënë, jo vetëm shoqatës së emigrantëve, kanë qenë betime publike nga kryeminsitri dhe ministri për Diasporën, që kanë folur për dhjetëra e mijëra emigrantë të regjistruar. Nga 2013 qeveria nuk ka bërë asgjë për të garantuar regjistrimin e emigrantëve, shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Nuk di sa shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Një proces që duhet të kishte ndodhur në 2013 sipas ligjit që la Berisha. Po kjo qeveri ka miratuar një ligj tjetër dhe sot janë vetëm 800 shtetas të regjistruar dhe qeveria nuk di të thotë se me çfarë procedurash janë regjistruar”.

Ai thotë se kur PD të jetë në mazhorancë do të marrë përsipër regjistrimin e shqiptarëve jashtë vendit dhe do t’i hapë rrugë edhe procesit të votimit në vendet ku kanë adresën e banimit. Sipas Kasos, kjo qeveri nuk ka pasur vullnet ta ketë bërë në 8 vjet.