Zyrtare, leje speciale nga qeveria, Anglia vjen në Tiranë, më 28 mars

Arena Kombetare 1100x620

Ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës ndërmjet Shqipërisë dhe Anglisë do të luhet sipas kalendarit në Tiranë, më 28 mars. Për shkak të masave kufizuese të përcaktuara prej pandemisë Covid-19, rrezikohej seriozisht udhëtimi i Tre Luanëve drejt Tiranës. Por, një leje speciale e siguruar nga federata e futbollit në qeverinë britanike, që anashkalon masat shtrënguese për udhëtimet, ka larguar çdo dyshim.

Prej 22 dhjetorit të kaluar, Shqipëria dhe Anglia i kanë bllokuar udhëtimet e pasagjerëve nga njëri vend në tjetrin, ndërsa personat që kanë mundësi të udhëtojnë janë të detyruar t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore. E gjithë kjo situatë e krijuar prej pandemisë, bëri që të ngriheshin pikëpyetje për mbarëvajtjen e sfidës në Arenën Kombëtare.

Madje, disa javë më parë u shqyrtua edhe mundësia e zhvillimit të ndeshjes në një fushë neutrale, ashtu siç ndodhi me përballjen e Champions League ndërmjet Liverpool dhe Leipzig, e cila u zhvillua në Budapest, pikërisht prej masave shtrënguese. Por, ndërsa klubet janë prekur në mënyrë të drejtëpërdrejtë, edhe pse luajnë në nivelet më të larta, e njëjta gjë nuk do të ndodhë për ekipet përfaqësuese.

Përjashtimi që vjen nga qeveria për udhëtimet rreth sporteve elitare, gjithsesi nuk lehtëson pjesën e karantinës. Në Angli, futbollistët që largohen nga klubet për angazhimet ndërkombëtare, në momentin e kthimit duhet të qëndrojnë menjëherë në izolim dhe të mos takojnë askënd në skuadër. Rreth këtij problemi, klubet elitare angleze po punojnë që të sigurojnë një tjetër tolerim nga qeveria, për heqjen e karantinës.

Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë shumë prej emrave të rëndësishëm rrezikojnë të mos i bashkohen ekipeve përfaqësuese. Në një situatë të tillë, padyshim që Anglia do të rrezikonte të mos kishte disa prej yjet e saj më 28 mars në Tiranë, diçka që do të favorizonte kuqezinjtë e Edy Rejas.