”Akademia.al” e mbingarkuar, zonat rurale vështirësi me mësimin online

Mësimi online për nxënësit duket se nuk është zgjidhja më e mirë për ta, kjo për faktin se në shumë zona të Korçës, veçanërisht në ato rurale, ka problematika me internetin apo valët e telefonit.

Por problematika më e madhe haset te nxënësit të cilët kanë provime në fund të këtij viti mësimor. A2 ka intervistuar disa nxënëse në fshatin Libonik të Maliqit, të cilat shprehën se platforma “Akademia.al” ka qenë tepër e ngarkuar dhe se për këtë arsye një pjesë të mësimeve do të duhet t’i rimarrin kur të kthehen në shkollë.

“Kemi mungesë të internetit, platforma Akademia.al është shumë e ngarkuar dhe kemi shumë shkëputje, nga ne por edhe nga mësuesit. Nuk është  e njëjtë si të jesh në shkolle, mësimet që nuk i zhvillojmë dot do t’i bëjmë kur të rikthehemi”, thonë disa nga nxënëset.

Problematika me internetin në qarkun e Korçës është mjaft evidente, sidomos në zonat e thella, pa folur këtu për mundësinë e prindërve për rimbushjen e telefonave me internet apo deri edhe te familjet që nuk kanë mundësi për telefona smart.

Ndërkohë edhe pse javën që vjen pritet të nisë mësimi, në gjimnazet e Pogradecit procesi do të vijojë online për shkak të pandemisë.