Bankat të shëndetshme, financuan ekonominë në pandemi

Bankat në Shqipëri e kanë përballuar mirë sprovën që krijoi kriza ekonomike. Ekspertja financiare, Brunilda Isaj, vlerëson se të dhënat dhe indikatorët e Bankës së Shqipërisë tregojnë një shëndet të mirë të sistemit bankar. Ajo shpjegon dy faktorët që lejuan bankat të luajnë rol kryesor në financimin e ekonomisë gjatë kësaj krize.

“Sistemi bankar, gjatë periudhës së krizës, pati dy përfitime kryesore: ishte një sistem i mirëkapitalizuar dhe gjithashtu me një pozicion shumë të mirë likuiditeti”, thotë ajo.

Por pavarësisht qëndrueshmërisë së sistemit, kriza sigurisht që ka dhënë efektet e saj edhe në sektorin financiar. Në viti 2020, fitimi i bankave ra me 15%. Por impakti kryesor do të ndihet te niveli i kredive të këqija, që ende nuk është reflektuar, për shkak të masave për ristrukturimin e huasë.

“Sigurisht që pritet të ketë impakt në sistemin bankar, në formën e përkeqësimit, të përkohshëm shpresoj, të shlyerjes së kredive”, thotë Isaj.

Kreditimi i ekonomisë gjatë vitit të kaluar u rrit me 6.6%, ndihmuar si nga sektori i biznesit, ashtu edhe nga individët, veçanërisht për kreditë e reja për shtëpi. Bankat sidoqoftë shtrënguan kushtet e marrjes së një huaje, për shkak të perceptimit për një risk më të lartë në shlyerje.