Bisedimi me qytetarët e Vlorës, Rama sulmon Metën: Tragjedi shpërdorimi i Presidencës

Shkurti është muaji i të dashuruarve, por ndërmjet Edi Ramës dhe Ilir Metës dashuria ka mbaruar me kohë.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me shoqërinë civile në Vlorë, shfrytëzoi rastin për të dhënë konsideratat e tij ndaj Presidentit. 

“Për fat të keq Iliri nuk është president. E shpërdoroi atë institucion dhe atë rol në funksion të ndërmarrjes politike që formalisht, por jo realisht e drejton e shoqja. Si të gjitha gjërat që bën Iliri tragjikomike. Tragjedi për institucionin dhe komike për personazhin që shpërdoron atë institucion me praninë e tij”, u shpreh Rama.

Tjetër shkak i përkeqësimit të mëtejshëm të marrëdhënies së dy ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë tanimë është edhe ndërtimi i rrugës së Vlorës, ku komentet për këtë çështje i dha Damian Gjiknuri. 

“Ta ftojmë edhe presidentin e Republikës dhe të gjithë të tjerët që të mos vijnë më fshehurazi në Vlorë, të kenë vendin e tyre dhe të inaugurojmë fillimin e punimeve”, deklaroi Gjiknuri.

Si deputet i Vlorës prej dy mandatesh, pengun më të madh duket se e ka aeroportin ende të pandërtuar. 

“Kur të jemi në kantier në aeroportin e Vlorës, shpresoj që të më mbani që të mos marrë gjobë për shkelje të rregullave të covid”, tha kryeministri. 

Mandatin e tretë e kërkon për të mbyllur punët e nisura që thotë se ia la në mes COVID-i e tërmeti dhe e shpreh publikisht dëshirën për të mos u marrë më me politikë, por ka një merak mes socialistëve. 

“Këta janë më të rinj, do të vazhdojnë beteja të tjera dhe do të bëjnë ca beteja me njëri-tjetrin, që i kanë lënë mënjanë se unë jam më i gjatë se këta”, përfundoi kryeministri.