Filmuan protestat kundër Lukashenkos, dënohen me dy vjet burg 2 gazetare bjelloruse

gazetaret 1 1100x620

Dy gazetare bjelloruse janë dënuar me dy vjet burg, pasi filmuan protestat kundër presidentit Aleksander Lukashenko. Vendimi u mor një ditë më parë nga një gjykatë bjelloruse, ndërsa dy gazetaret punonin për degën e televizionit polak, Belsat.

Katsiaryna Andreyeva dhe Darya Chultsova, 27 dhe 23 vjeç, u arrestuan në nëntor, në një apartament prej nga po filmonin protestat që po zhvilloheshin, pas vrasjes së një manifestuesi disa ditë më parë.

Të dyja reporteret u vetëdeklaruan të pafajshme pasi u akuzuan për orkestrim të protestave, duke i filmuar ato. Si provë materiale, prokurorët paraqitën një videokamera, një mikrofon, telefona celularë, USB dhe jelekë që sinjalizonin praninë e shtypit.

Avokati i tyre e konsideroi absurde arrestimin e gazetareve dhe u shpreh se nuk ka shkelje të rendit publik.

“Të gjitha çështjet e hapura lidhur me protestat janë absolutisht të paligjshme, sepse qytetarët ushtruan të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. Nuk ka shkelje të rendit publik në rast manifestimi. Sa i takon arrestimit ai është absurd, pasi gazetaret thjesht po mbulonin protestat”.

Mbi 33 mijë persona janë arrestuar në një ofensivë të dhunshme të qeverisë, pas protestave kundër Lukashenkos, ndërsa qytetarët kontestonin rezultatin e zgjedhjeve të gushtit, që i zgjatën atij pushtetin.

Ofensiva nxiti vendet perëndimore të vendosnin sanksione të reja ndaj Minskut. Nga ana e tij, Lukashenko ka refuzuar të tërhiqet dhe vijon qëndrimin në detyrë, i mbështetur nga Moska.