Godole: Pas vdekjes së Enver Hoxhës u propozua që Tiranës t’i vihej emri i diktatorit

Do të përkujtohet nesër, më 20 shkurt, përmes një ekspozite me titull “Rënia e një diktatori”, 30-vjetori i rrëzimit simbolik të diktaturës. Jonila Godole nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë, e ftuar në “Dita jonë”, tregoi se në të do të publikohen dokumente arkivore, foto dhe propozime absurde. Ajo solli në vëmendje një propozim absurd që Tirana të mbante emrin Enver Hoxha pas vdekjes së tij, por që u shmang nga Ramiz Alia me stil.

“Pas vdekjes së Enver Hoxhës kishte ide që Tirana të kishte emrin Enver hoxha, të cilin e shmangu Ramiz Alia me stil, duke thënë që nëse do t’ia vendosnim Tiranës do të mërziteshin edhe qytetet e tjera. Aty ka dokumente, foto dhe propozime absurde, kronologji dhe teoritë e konspiracionit. Ka pasur shumë teori, edhe Nexhmija në librin e saj thotë që statuja mund të jetë bërë gati për t’u hedhur nga vetë regjimi. Ka shaka dhe batuta të ndryshme se ç’thuhej në Shqipëri për të. Në Shkodër talleshin me Enver Hoxhën”.

Në 30-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit, Godole bëri sërish thirrje për transparencë, që qytetarët të njihen dhe të kenë akses të plotë në të shkuarën.

“Në 30-vjetorin e rrëzimit simbolik të diktaturës, do të doja një akses të plotë të qytetarëve edhe te sigurimi, për të kuptuar historinë dhe të shkuarën. Transparencë të plotë, kjo vazhdon të jetë thirrja ime e përhershme. Ne duhet të dimë me kë kemi të bëjmë këtu. Vetëm kështu do jemi të sigurt”.

Festivali “Ditët e kujtesës” nis sot dhe vijon deri në datën 26 shkurt. Ditët e kujtesës do të trajtojnë tema si rrëzimi i shtatores së Hoxhës, filmat dhe propaganda nën diktaturë dhe nevoja për të mos harruar atë që ndodhi në vendin tonë për gjysmë shekulli.