I izoluar në regjimin 41bis, bosi i krimit fiton të drejtën të dëgjojë muzikë në qeli

Një bos i krimit të organizuar në Itali, i cili është pas hekurave sipas regjimit 41bis, ka fituar në gjykatë të drejtën për të dëgjuar muzikë në qelinë e tij.

Domenico Strisciuglio-s, 48 vjeç, i cili drejtonte një prej grupeve kriminale në Bari, pjesë e të ashtuquajturës “Sacra Corona Unita”, në bazë të regjimit 41bis – që është vënë në përdorim edhe në Shqipëri – i janë hequr disa të drejta, për ta shkëputur nga bota e jashtme.

Por, pasi autoritetet e burgut i mohuan të drejtën për të blerë në “CD player”, avokati i tij iu drejtua gjykatës dhe kërkoi mundësinë e kësaj pajisjeje, përveç televizorit, që Strisciuglio e kishte tashmë. Të enjten, gjykata e Sasarit, qytetit në Sardenjë ku ndodhet burgu pranuan kërkesën duke thënë se dëgjimi i muzikës ishte pjesë e të drejtave të njeriut, garantuar në Kushtetutë. Ai po vuan dënimin atje prej vitit 1999 dhe në vitin 2019 fitoi edhe të drejtën për të pasur një televizor në dhomë.

Italia ashpërsoi kushtet në burgje për pjesëtarët e organizatave të tipit mafioz dhe terroristët, që pas luftës së dytë të Mafias në vitet 1980 që përfundoi me vrasjet e dy prokurorëve Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Regjimi 41bis u ndalonte atyre përdorimin e telefonave, si edhe korrespondencën me të burgosur të tjerë dhe persona të tretë. Por në tetor 2019, Gjykata e Strasburgut vendosi se ky regjim cenon të drejtat bazike të njeriut. Vendimi nuk u mirëprit nga hetuesit italianë, të cilët thanë asokohe se gjykata nuk kishte marrë parasysh kontekstin dhe historinë e mafias në Itali.