Ky ishull mund të jetë territori i parë në botë ku do të vaksinohen të gjithë banorët, brenda dy javësh

Untitled collage 15 1 1100x620

Ishulli i largët “Ascension Island” në Oqeanin Atlantik Jugor mund të bëhet territori i parë, ku të gjithë banorët do të vaksinohen kundër Covid-19, deklaroi Ushtria Britanike.

Ishulli vullkanik ka një popullsi prej pak më shumë se 800 banorësh. Ai gjendet afërsisht 1600 km nga brigjet e Afrikës dhe 2200 km nga Brazili.

Ishulli Ascension është pjesë e Territoreve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, por vetëqeveriset dhe ka ligjet e veta.

Të paktën 1,950 doza të vaksinës AstraZeneca mbërritën atje në fillim të kësaj jave në një fluturim të veçantë nga Forcat Ajrore Mbretërore.

Stafi në Spitalin Georgetown ka nisur administrimin e dozave dhe njerëzit e parë që u vaksinuan ishin pikërisht punonjësit shëndetësor.

Duke pasur parasysh numrin e banorëve, qeveria e ishullit Ascension parashikon, “që dozat e para do të administrohen për të gjithë banorët deri në fund të javës së ardhshme”.