Pakt për shkrirjen e LSI? Meta: Do të trefishohet dhe kush duron Monikën

I pyetur nëse i frikësohet një pakti mes dy forcave të mëdha politike për shkrirjen e LSI-së apo largimin e Ilir Metës, kreu i shtetit u përgjigj se kjo forcë politike do të trefishohet, pasi është dyfishuar me procesin e pastrimit.

“Nuk ka Ilir Meta shqetësimin e LSI-së. Meta nuk është nga ata që ndërrojnë parti, por që themelojnë parti. I vetmi shqetësim që kam për LSI-në është që do ta trefishojë, se për të dyfishuar e ka dyfishuar, e ka ndihmuar me procesin e pastrimit dhe do ta marrë mesazhin dhe shqetësimi është se kush e duron Monikën të thotë se ku dallon drejtimi i një gruaje nga një burrë”.

Për kreun e shtetit, kryeministri Rama nuk ka problem me Ilir Metën, apo LSI-në, por me demokracinë, zgjedhjet dhe llogaridhënien.

“Nuk ka asnjë problem zotëria me Ilir Metën dhe as me LSI. Ka problem me demokracinë zgjedhjet me llogaridhënien dhe ka një detyrë mesa duket për të bllokuar vendin, siç e ka bllokuar në procesin e anëtarësimit evropian dhe e ka bllokuar se kërkon të mbajë me pahir pushtetin në kurriz të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”.

Meta thekson se shqetësimi kryesor i tij është pandemia, shpopullimi, konvencionet dhe arbitrazhet.

“Problemi është pandemia, shpopullimi, koncesioni, dalja nga kontrolli i borxhit publik, arbitrazhet dhe se këto janë problemet e shqiptarëve. Meta do jetë rrugëve kudo që populli të ketë besim te demokracia dhe të ndëshkojë ata që i bëjnë presion dhe nuk sillen si udhëheqës demokratikë, por diktatorë të dështuar. Dy vende të synojmë ne; Kosovën për zgjedhje dhe Maqedoninë në fushën e investimeve të huaja”.