Studimi izraelit: Një dozë e vaksinës së Pfizer është 85 përqind efektive kundër koronavirusit

vaksina pfizer 1100x620
Pajisja me të cilën do të ruhen vaksinat gjatë transportit. Ruan temperaturën deri në -86 gradë celsius

Një studim izraelit, botuar në revistën shkencore “The Lancet”, zbuloi se një dozë e vetme e vaksinës së Pfizer/BioNTech është 85 përqind efektive kundër koronavirusit.

Studimi i 9 mijë punonjësve shëndetësorë, kryer nga Sheba Medical Center në Izrael, një spital kërkimor vendas, zbuloi se një dozë e vetme uli me 85 përqind numrin e personave që zhvillonin simptoma të koronavirusit, pas një periudhe prej 15 deri në 28 ditë pas inokulimit.

Studiuesit gjithashtu arritën në përfundimin se një dozë e vetme uli infeksionet asimptomatike me 75 përqind.

“Ky hulumtim novator mbështet vendimin e qeverisë britanike për të filluar inokulimin e qytetarëve të saj me një dozë të vetme të vaksinës,” tha Arnon Afek, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Sheba Medical Center.

Vende si Izraeli dhe SHBA-ja janë përpjekur t’i përmbahen distancës së rekomanduar tre-javore mes dozave, ndërsa Britania e Madhe ka vendosur që ta japë dozën e dytë 12 javë pas së parës.

Ky studim ndjek gjithashtu një analizë të muajit shkurt që tregoi një rënie të numrit të rasteve dhe shtrimeve në spital në Izrael midis grupeve të moshave të vaksinuara, edhe pse shumë persona kishin marrë vetëm një dozë.

Ajo gjithashtu bazohet në një studim laboratorik që zbuloi se 91 përqind e mjekëve dhe infermierëve kishin një përgjigje të fortë të antitrupave tre javë pasi morën dozën e tyre të parë.

Izraeli ka vaksinuar më shumë persona se çdo shtet tjetër në botë pasi ka firmosur një kontratë me kompaninë farmaceutike Pfizer, përmes së cilës garantoi të ofronte të gjitha rezultatet e fushatës së imunizimit, përfshirë detajet e çdo injektimi.

Por, shndërrimi i Izraelit në një laborator të shkallës kombëtare shqetëson organizatat që luftojnë për mbrojtjen e privatësisë.