Stuhia e motit të ftohtë në SHBA, teksanët vuajnë nga mungesa e ngrohjes, ushqimit dhe ujit

Teksanët po vuajnë akoma nga dimri ekstrem.

“Jemi në gjendje të vështirë dhe vetëm po përkeqësohet.”, u shpreh Thomas Black, banor në Dallas.

Energjia elektrike po rikthehet ngadalë në shtet, ndërsa po shfaqen probleme të reja. Banorët po raportojnë për emergjenca të shumta në banesat e tyre. Sistemet e shpërndarjes së ujit janë të mbingarkuara duke zgjatur kështu emergjencën, ndërsa tubacionet që rrjedhin po shterojnë rezervat.

 Problemi më i madh mbetet uji i pijshëm. Gjysma e popullatës në Teksas po ndjekin këshillën për ta valuar ujin para konsumimit. Mungesa ka edhe në furnizimin me ushqime, ndërsa mungesa e energjisë elektrike në supermarket dhe rrugët e ngrira kanë ndikuar shpërndarjen.

Mungesa në furnizimin me ujë dhe presioni i ulët po prekin shërbimet e emergjencës. Zjarrëfikësit po vuajnë mungesën, teksa hasën probleme në fikjen e një zjarri të madh në një kompleks banimi në San Antonio.

“Bëmë një punë të mirë dhe më pas na mbaroi uji.”, u shpreh Jerry Bialick, departamenti i zjarrëfikëses.

Zemërimi po shtohet për shumë teksanë, të cilën presin një kërkim falje nga autoritetet. Guvernatori, Greg Abbott, merr përsipër përgjegjësinë për dështimin në menaxhimin e emergjencës dhe premton se do të bëhen ndryshime për të siguruar që një gjë e tillë nuk do të ndodhë më. Stuhia e motit të ftohtë ka shkaktuar probleme edhe në vaksinimin e qytetarëve dhe u ka marrë jetën dhjetra personave.