Vaksinat e Pfizer dhe Moderna, mbrojtje e “dobët” ndaj variantit afrikano-jugor të virusit

Vaksinat e Pfizer dhe Modernës kanë shfaqur mbrojtje më të ulët kundër variantit të koronavirusit të zbuluar në Afrikën e Jugut, me nivelet antitrupave të nxitura nga vaksina e Modernës që u reduktuan edhe me 6-fish.

Sipas një studimi të Pfizer, BioNTech, dhe universitetit mjekësor të Teksasit i publikuar në New England Journal of Medicine, me aplikimin e virusit te kampionë gjaku të personave që kishin kryer vaksinën e Pfizer, u zbulua një rënie prej 2/3 e nivelit të antitrupave.

Pfizer dhe BioNTech thanë se konkluzionet ishin frut i punës në laborator, dhe deri më tani nuk ka prova nga eksperimente klinike që të tregojnë se varianti i ri redukton mbrojtjen e ofruar nga vaksinat. Dy kompanitë thonë se po zhvillojnë një studim të ngjashëm laboratorik me mutacionet e reja të evidentuara në Brazil.

Ndërkaq, një studim i zhvilluar nga stafi shëndetësor i një spitali në Izrael, arriti në përfundimin se doza e parë e vaksinës së Pfizer, ishte 85 për qind e efektshme në parandalimin e covid-it klinik apo simptomatik. Të dhënat janë shumë më optimiste nga çfarë kishin pretenduar vetë Pfizer dhe Biontech, të cilat flasin për një mbrojtje 52 për qind pas dozës së parë.

Zbulimi i qendrës mjekësore Sheba mund të nxisë me tej debatin global për shtyrje të dozës së dytë, në mënyrë që të rritet numri i personave që marrin vaksinën.