Vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier, shpallen në kërkim 4 persona

Policia zbardhi vrasjen e 42-vjeçarit Shkëlzen Kastrati në Fier ndërsa shpalli në kërkim 4 autorët e dyshuar. Burime pranë policisë thanë se atentatorët janë Albert Zaja 37 vjeç dhe 29-vjeçari Elmir Tufa nga Fushë Kruja, Elson Xheçuka, 27 vjeç, banues në Kamëz dhe Roland Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.

4 të rinjtë, mësohet se janë një grup vrasësish me pagesë, të cilët e kanë ndjekur viktimën dhe lëvizjet e tij për afro 2 muaj deri në ekzekutimin e 42-vjeçarit.Të katër personat dyshohet se janë larguar nga Shqipëria drejt një vendi të Bashkimit Europian, e për këtë policia ka kërkuar arrestimin e tyre.

Ndërkohë, hetuesit kanë  sekuestruar dy automjetet që përdorën atentatorët për t’u larguar nga vendngjarja. Tek to policia gjeti mbetje biologjike të cilat iu nënshtruan analizave të të ADN-së, që çuan në identifikimin e tyre.

Kastrati u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit, në fshatin Sheq në Fier brenda makinës së tij. Ai ishte në lëvizje me makinë kur u qëllua me breshëri nga një fuoristradë. Hetuesit besojnë se vrasja ndodhi për shkaqe hakmarrjeje për një seri vrasjesh mes fisit Kastrati dhe atij Binjaku ngjarje që datojnë që nga viti 2008.