Australian Open, Naomi Osaka “mbretëreshë” në Melburn

Naomi Osaka triumfon për herë të dytë në karrierë në Australian Open. Pas suksesit të vitit 2019, tenistja japoneze fitoi finalen e këtij edicioni, pasi kaloi në dy sete Jennifer Brady, me rezultatin 6-4, 6-3.

Sfida në Melburn nuk kishte histori dhe jo rastësisht zgjati vetëm 77 minuta.

Osaka nuk u vendos në vështirësi as nga era, e cila iu krijoi mjaft problemeve finalisteve, mbi të gjitha në fazën e shërbimit. Për Osakan ky është suksesi I katërt në karrierë në një turne të Grand Slam. Përpos dy triumfeve në Australi, ajo ka fituar edhe dy edicione të US Open.

Triumfi i fundit në turneun e rëndësishëm amerikan u regjistrua gjatë shtatorit të kaluar. Me fitoren e tanishme, Osaka konfirmohet si tenistja më e fortë në fushat me çimento. Objektivi i radhës për kampionen aziatike është të përmirësohet në fushat me bar dhe me dhè të kuq, ose e thënë ndryshe në Roland Garros dhe Wimbledon, për t’u bërë tenistja që duhet mposhtur në turnetë e femrave.