Basha takon komisioneren e BE: Në qeveri, do përmbushim kushtet për hapjen e negociatave

1 91 600x338

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot Komisioneren e Punëve të Brendshme në BE, Ylva Johansson e cila ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Pas takimit, zoti Basha tha se e ka njohur Komsioneren Johansson me planin e demokratëve për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“E njoha atë me planin tonë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që janë dy pengesat kryesore se pse Shqipëria ka ngecur në vendnumëro sa i përket anëtarësimit në proceset e hapjes së negociatave. Në veçanti e njoha me planin tonë anti-mafia dhe vullnetin politik për ta zbatuar atë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Me komisionerin për punët e brendshme të Bashkimit Europian kam bashkëpunuar ngushtësisht kur hoqëm vizat për qytetarët shqiptarë. Dhe kujtuam se si bashkëpunimi i atëhershëm, pra kushtet që çuan tek reformat dhe reformat që çuan tek të mirat që gëzojnë sot shqiptarët, pasaportat biometrike, kartat e identitetit, digjitalizimi i sistemit kufitar, sollën diçka të paimagjinueshme para 11 viteve, që shqiptarët lëvizin pa viza në Bashkimin Europian”.

Po ashtu, Basha e njohu Komisioneren me angazhimin e tij dhe të Partisë Demokratike, nesër në qeveri, për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave me BE-në.

Kryedemokrati tha se plani i opozitës do të mundësojë krahas negociatave me BE-në edhe hapjen e vendeve të reja të punës në mënyrë që të rinjtë e të rejat shqiptare mos të detyrohen të kërkojnë shpresë në rrugën e emigrimit, por të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

“Tani është detyra e qeverisë që do të dalë pas 25 prillit dhe vullneti im politik që ta drejtojë atë qeveri drejt përmbushjes së kushteve për të hapur negociatat në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të përfitojnë të tjera të mira materiale dhe jo materiale që do të vijnë nga procesi i integrimit europian të vendit. Angazhimi për t’i përmbushur këto kushte do të sjell një përmirësim real në jetën e shqiptarëve. Do të sjell një përmirësim real në kuptimin e financimeve që do të përfitojnë fermerët shqiptarë, biznesi i vogël dhe i mesëm, në kuptimin e financimeve që do të përfitojë rinia shqiptare, universitetet, në kuptimin e klimës së biznesit që do të përmirësohet dhe besimit që do të kenë investitorët europian që t’i hapin këto vende pune këtu në Shqipëri, me paga dinjitoze të niveleve të larta do të thoja sot pothuajse jo ekzistuese në Shqipëri. Dhe kjo në vetvete çfarë do të krijonte, premisat që ne të ndalim plagën e emigracionit masiv dhe rinia shqiptare të gëzojë edhe atë që kemi arritur para 10 vitesh, lëvizjen e lirë në Europë, por edhe mundësinë që të punësohet me paga dinjitoze në vendin e vet.”.