Kritika pas përplasjes me Australinë, Facebook kërkon falje

Untitled collage 31 1100x620

Vendimi i Facebook për të bllokuar njerëzit nga shkëmbimi i lajmeve në Australi është qortuar nga ligjvënësit në të gjithë botën, duke ngritur spektrin e një përballjeje shumë më të gjerë midis platformës më të madhe në botë të mediave sociale dhe qeverive dhe organizatave të lajmeve që luftojnë për të kontrolluar fuqinë e saj.

Pas vërshimit të kritikave, një nga ekzekutivët e lartë të Facebook, Simon Milner, kërkoi falje pasi kompania bllokoi publikimet me lajmet si përmbajtje kryesore, duke mos i lejuar përdoruesit t’i lexojnë apo t’i shpërndajnë në Australi,

Kryeministri i Australisë Scott Morrison, shtoi se e mirëprit faljen e Milner, megjithatë theksoi se mbyllja e llogarive nga Facebook ishte e pajustifikueshme.

Përplasja e Australisë me Facebook erdhi pas zhvillimit të një projekt-ligji i cili u mundëson botuesve të lajmeve që të negociojnë për kompesimin që marrin nga gjigantët e teknologjisë.

Qeveria federale në Australi thotë se ligji i hartuar do të detyrojë efektivisht kompanitë Google dhe Facebook që të dakordësohen përmes marrëveshjeve me kompanitë mediatike, ose të vendosin rregulla të qarta mes tyre, dhe vota për këtë ligj, do të vijë pas disa javësh.

Më herët, edhe Google ka kërcënuar se do të ndërpresë aksesin në motorin e kërkimet në internet në të gjithë vendin, për të shmangur vetë mundësinë e bllokimit të lajmeve, për të cilat më herët ka gjetur dakordësi me publikuesit në Britaninë e Madhe, Gjermani, Francë, Brazil e Argjentinë, për shfaqje të produkteve informative në Google News.