Liverpool merr humbjen e katërt radhazi në kampionat

ecd10d8d9105c567bd24cb4dc3a2d81ao2 1100x620

Liverpool ka shënuar një tjetër humbje në Premier League, duke u bërë disfata e katërt radhazi për djemtë e Klopp.

“Të kuqtë” u mundën në fushën e tyre me rezultatin 0-2 në ndeshjen derbi përballë Evertonit të Ancelottit.

Miqtë e gjetën golin e avantazhit që në minutën e 3 të takimit me anë të Richarlison. Reagimi i Liverpool ishte i menjëhershëm, por finalizimi deri në fund mbeti zero.

Vendasit e mbajtën kontrollin e topit pjesën më të madhe të lojës, por nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës. Klopp u përpoq të shtonte forcën sulmuese dhe radha i erdhi dhe Xherdan Shaqirit për të hyrë në fushën e lojës. Salah dhe Mane tashmë janë kthyer në hije të lojtarëve të disa viteve më parë.

E ndërsa Liverpool kërkonte të barazonte rezultatin, Everton kryen një kundërsulm në fund të të cilit fitoi një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Sigurdsson.

Me këtë humbje Liverpool shkëputet me 3 pikë nga vendi i katërt që siguron pjesëmarrjen në Champions League për vitin e ardhshëm.