Prag Lazio-Bayern, bavarezët rrezikojnë karantinën në grup

2 1 1100x620

Bayern Munchen rrezikon të futet në “karantinë grupi”. Sipas mediave në Gjermani, ky vendim pritet prej rritjes së rasteve me lojtarë të infektuar në radhët e kampionëve të Europës dhe botës në fuqi. Gjithçka ndodh në prag të ndeshjes së Champions League përballë Lazio.

Me Pavard që iu shtua listës së futbollistëve pozitivë me Covid-19, pas rasteve të konfirmuara të Muller, Goretzka dhe Javi Martinez, autoritetet sanitare në Gjermani u alarmuan dhe po shqyrtojnë mundësitë, që të evitohet përhapja e virusit, ku hapi më logjik duket izolimi i skuadrës së Flick.

Hetimet për koronavirusin te Bayerni vazhdojnë, ndërsa autoriteti sanitar në Bavari, saktësonte nëpërmjet një deklarate për media se “ka të drejtën që të fusë në karantinë një kompani apo klub sportiv, bazuar në rezultatin e hetimeve”.

Pjesë e procesit është gjurmimi i kontakteve të mundshme me futbollistët që kanë rezultuar të infektuar dhe në këtë këndvështrim, shqetësuese janë imazhet pas triumfit në Botërorin për Klube.

Festa dhe kërcimet në dhomat e zhveshjes, në të cilat mori pjesë edhe Pavard, autori i golit të fitores, u zhvilluan kundër të gjitha masave të sigurisë. Në këtë situatë, mbetet që autoritetet sanitare të vendosin nëse “karantina e grupit është e nevojshme apo jo”.

Një procedurë e tillë përdoret për të gjithë personat e infektuar, pavarësisht nga profesioni i tyre. Sipas gjasave, vendimi pritet të vijë në orët në vazhdim dhe më pas do të kuptohet, nëse rrezikon të zhvillohet ndeshja e Bayernit me Lazio-n në Champions.